Ditët e para të marsit do të shpallen dy vepra fituese të dramës kombëtare nga dy konkurse paralele: “Flasim rreth kufijve”, iniciuar nga Ministria Austriake për çështje Europiane dhe Ndërkombëtare, P.E.N Club-i austriak dhe MTKRS, si dhe nga Teatri Kombëtar. Po a e zgjidhin këto konkurse krizën e dramës shqipe?

Prej kohës kur në rrethet letrare e teatrore u fol me të madhe për rrezikun që i kanosej dramës shqipe, duket se zgjidhja po vazhdon të kërkohet në mënyrë institucionale. Ministria e Kulturës (që më parë ka organizuar konkurse të dramës shqipe mbështetur prej saj), në ndërmarrjen e sivjetshme për dramën shqipe, ka si palë Ministrinë Austriake për çështje Europiane dhe Ndërkombëtare dhe P.E.N Club-in austriak. Në ditët e para të marsit, përmes një konference që me shumë gjasa do të mbahet në MTKRS, do të shpallë fituesit e konkursit “Flasim rreth kufijve”, një projekt i kuruar nga regjisori austriak Christian Papke. Ky konkurs u njoftua që në tetor të 2009-s së bashku me kriteret që duheshin përmbushur dhe një sërë përfitimesh që rrjedhin së këtejmi. Drama fituese do të vlerësohet me 3500 euro, do të përkthehet në gjermanisht dhe do të botohet në 11 mijë kopje, prej të cilave 10 mijë kopje do të shpërndahen së bashku me revistën austriake kulturore-teatrore "Bühne", ndërsa 1000 të tjera do t’u dërgohen skenave dhe zyrave letrare e dramatike në hapësirën gjermanishtfolëse me synimin për të parë një vënie të mundshme në skenë. Vepra fituese do të përzgjidhet nga një juri ndërkombëtare në përbërje të së cilës janë nga pala shqiptare Mark Marku në rolin e kritikut dhe studiuesit (thuajse gjithnjë i pranishëm në konkurset letrare), dhe regjisori Adonis Filipi, njëkohësisht drejtor i festivalit teatror “Skampa” të Elbasanit. Anëtarë të tjerë të jurisë janë Christian Römer, drejtor i “Neuköllner Oper Berlin”, skena e katërt operistike e Berlinit, Gerald Bauer, lektor në Universitetin e Vjenës dhe që nga viti 2002 drejtues artistik dhe dramaturg i Teatrit të Rinisë dhe regjisori austriak Christian Papke, iniciator në vitin 2004 i konkursit të dramës “Flasim rreth kufijve”, i prezantuar për publikun shqiptar me shfaqjen e vënë në Teatrin Kombëtar, “Forca e zakonit”. Bëhet e ditur se kanë qenë 18 vepra të depozituara për konkurrim në fund të dhjetorit, kur ishte edhe afati përmbyllës. Tri të tjera nuk janë pranuar për mungesë të përkthimit anglisht. Deri më tani, secili prej anëtarëve të jurisë i ka shqyrtuar veçmas veprat, duke marrë parasysh kriteret e këtij konkursi. Temat që kanë ngacmuar krijuesit kanë qenë ato të ditës, por nuk kanë munguar edhe evokime të së kaluarës. Veç këtij konkursi, një i dytë organizohet paralelisht në Teatrin Kombëtar. Ky konkurs u bë më shumë si ftesë e hapur në një konferencë shtypi nga drejtori i Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami. Krijuesit u ftuan të sjellin vepra, të cilat do të shqyrtohen nga bordi. I hapur rreth dy javë më parë, drejtori Skrami shprehet se ka pasur disa prurje deri më tani. Do të jetë po bordi ai që do të përzgjedhë një vepër, e cila do të ngjitet në skenën e TK-së gjatë këtij sezoni. “Pjesa do të vijë në vigjilje të 65-vjetorit të krijimit të Teatrit Kombëtar që do t’i përkushtohet dramës shqipe”, pati thënë më parë Skrami. Po ç’do të bëhet me dramën që do të zgjidhet fituese nga juria ndërkombëtare? Sa për vënien në skenë, drejtori Skrami shprehet se do të shihet mundësia që të jetë e pranishme në gjashtëmujorin e dytë të TK-së. Ndryshe nga dy vite më parë, kur deklarohej fort për prioritetin e dramës shqipe në kalendarin artistik të TK-së, tashmë vihet re se programi është orientuar kryesisht nga dramaturgjia botërore, e kryesisht ndaj veprave të mëdha, mes tyre edhe pjesë të antikitetit, të munguara dhe të konsideruara si sfidë për teatrin tonë. Kur foli për kalendarin e 2010-s, drejtori Skrami përmendi mes të tjerash se “nuk do të anashkalojmë dramaturgjinë kombëtare”. Ky ndryshim politikash ndoshta ka të bëjë me atë që ndodh në skenë me dramën shqipe. Ndonëse të stimuluara me mbështetje institucionale, është parë se drama shqipe, të paktën ajo e vënë në skenë, çalon në cilësi. Pjesët e dala nga konkurset apo ndonjëherë të realizuara edhe si iniciativa private, kanë dëshmuar shumë pak vlera. Insistimi për të inkurajuar në vazhdim krijuesit nuk garanton përpjekje për të sjellë edhe vlera. Duket tashmë se kriza ndaj prurjeve dramaturgjike zhvendoset në një tjetër plan: atë të cilësisë. Mbetet të bëhet një vlerësim real nëse politikat e ndërmarra për nxitjen e dramës shqipe mund ta ndryshojnë këtë situatë.








#