Që të flitet për ish-presidentin e Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu, duhen nga ato netët e dimrit dhe jo netët e verës së gushtit, aq shumë ka për t’u thënë për të. Alfred Moisiu, Presidenti konsensual, Gjenerali i xheniove që projektuan dhe ndërtuan mijëra bunkerë në të gjithë Shqipërinë, ankohet sot për një padrejtësi. Sipas tij është drejtësi korrekte, që një ish-President i madh, me kontribute të vyera, me dekorata si Ai, të gëzojë privilegje më shumë se një qytetar i thjeshtë. Dhe është padrejtësi t’ia mohosh privilegjet. Krejt padrejtësi, sipas tij. Në mbrojtje të kauzës së tij personale sjell rrëfimin e një miku te tij, ish-President ballkanik i cili paguhet me 85 % të rrogës në detyrë, ka dy sekretarë, badigardë, makina e lukse të tjera. Bile paska edhe 300 mijë euro fond në dispozicion për shpenzimet. Afërmendsh me deduksion metaforik i bie që Moisiut tonë dhe jo atij të Biblës që ndan mëdysh ujëra, i paskan mbyllur rubinetin e parave.
Shyqyr zotin tek ne privilegje të tilla nuk ekzistojnë. Vitet e privilegjeve kanë ardhur duke u ulur. Jemi normalë, në këtë aspekt. Ish-presidenti Moisiu nuk pranon të njësohet me njerëzit e thjeshtë të këtij vendi, prandaj proteston duke akuzuar Kryeministrin në çdo aktivitet publik. Ai thotë se privilegjet varen nga miqësitë personale të Kryeministrit Berisha. Ajo që bie në sy është se ata po përpiqet ta paraqesin veprimtarinë e maxhorancës si presion për Presidentin e sotëm, dhe ish-presidentët e mëparshëm. Një lojë infantile mediatike. Kështu siç e paraqesin këta i bie që edhe Sali Berisha, ish-president të ketë presionin e një maxhorancë që kryeson vetë, pra kuptohet vetiu se gjithçka e sajuar nga propaganda e majtë është një non-sens, një gjë e pakuptimtë.
Sidoqoftë herë pas herë, në mënyrë ciklike Alfred Moisiu angazhohet të vendosë në pozitë të vështirë shumicën politike në vend, duke akuzuar verbalisht Kryeministrin. Gjestet e Moisiut janë në të njëjtën linjë, si kur ishte President, po ashtu sot qytetar i lirë nga detyra. Faktet dëshmojnë se ai është i vendosur t’i shkojë deri në fund njëanshmërisë së tij politike. Nevoja për intoksikim është e përhershme nga një njeri që i njeh mirë shashkat dhe tymueset e ushtrisë.
Paralelisht me këtë gjest tërësisht diversionist, Moisiu i ka bërë disa herë stërkëmbësha qeverisë në pritjet e ambasadave të huaja. Një tjetër rast i paprecedent, ishte kur ish-presidenti shihej i mërzitur nga disa suksese të qeverisë dhe nga inaugurimet e rrugëve dhe premtimet e saj të mbajtura.
Prandaj nuk është hera e parë që Alfred Moisiu, për të mbrojtur privilegjet e veta, sulmon personalitetet e kombit. Mbahet mend se në 2007 ai u angazhua personalisht në fushata denigrimi ndaj të gjitha figurave politike e publike, që potencialisht mund t’i rrezikonin mandatin e dytë si president.
Nuk është e rastësishme që ai jep intervista në shtyp, fiks pas 22-vjetorit të varjes së poetit kuksian Havzi Nela, me firmë nga Fehmi Abdiut, të cilin Alfred Moisiu në 2004 e dekoroi “për merita të larta”, - kuptohet sepse vriste e priste poetët.
Alfred Moisiut iu ndërpre jeta në aneksin e Pallatit të Brigadave, shëtitjet blegtorale në mëngjes, ushqimin e bollshëm, rojet dhe jetën e pasur private që i ra në pjesë ta bënte në pleqëri, për shkak të fatit që pati për t’u bërë president.

...