Më shumë se 2 vjet pas nismës pompoze të qeverisë, përkatësisht Kryeministrit Berisha, të pagëzuar me emrin "Shqipëria në Moshën e Internetit" një raport i institutit të njohur gjerman GFK e rendit vendin tonë të fundit në Evropë për përdorimin e internetit. "Shqipëria renditet e fundit në Evropë, me vetëm 1% të popullsisë së saj që përdorin rregullisht internetin", thotë raporti i GFK-së. Norma e përdorimit të internetit në Shqipëri, sipas raportit, është me dhjetëra herë më e ulët se ajo e vendeve të tjera të Bashkimit Evropian dhe disa herë më e ulët se ajo e vendeve të rajonit. Qeveria shqiptare e vendosi futjen e internetit në masë të gjerë si një prioritet absolut të sajin. Vetë Kryeministri Berisha, në vitin 2006 deklaroi se: "Askush të mos mendojë se unë nuk e kam parasysh sesa kontrast bën kjo platformë me Shqipërinë që ka mungesa në ujë, në drita, ka rrugë të shkatërruara dhe spitale të papërshtatshme. Ndaj dhe ne jemi të bindur e të vendosur për të investuar për trurin, që brenda një kohe sa më të shkurtër të dhjetëfishojmë përqindjen e futjes së internetit në shoqërinë shqiptare".



Realiteti



Por realiteti sot, megjithëse kanë kaluar dy vjet nga premtimi i Berishës, nuk ka ndryshuar thuajse aspak nga ajo kohë. Tarifat për një lidhje interneti mbeten shumë të larta, ndërsa cilësia e shërbimit në standarde, e dobët. Sipas INSTAT-it, vetëm 1,5% e familjeve shqiptare kanë të instaluar internetin në shtëpitë e tyre dhe vetëm 33,7% e familjeve që kanë një linjë telefoni fiks, disponojnë edhe lidhje të internetit në banesë, kryesisht kjo në qytetet kryesore. Interneti u fut për herë të parë në Shqipëri në vitin 1991 nga Fondacioni SOROS. Në këto 15 vjet janë krijuar shumë kompani, sidomos në qytetet e mëdha të vendit, të cilat ofrojnë përdorimin e internetit. Por tarifat për këtë lidhje janë nga 16 deri në 35 euro ose 15 deri 45% e pagës minimale të vendosur nga qeveria.





Renditja



Islandezët dhe skandinavët, sipas raportit të GFK-së, janë individët me përdorimin më të lartë të internetit në Evropë. Në Islandë, më shumë se 88% e popullsisë, mbi 14 vjeç, përdor rregullisht internetin. Më pas, vjen Danimarka me 81%, Finlanda me 76%, po aq sa Norvegjia dhe Suedia me 73%. Në Evropën Perëndimore, normën më të ulët të përdorimit e ka Malta, me vetëm 25%. Në Evropën Jugore, përdoruesit e internetit janë më pak se 50% e totalit të popullsisë.