Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, kreu i PDI-së flet për qëllimet e vizitës në Uashington

Kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Integrim, Tahir Muhedini, në një intervistë të dhënë dje për “Zërin e Amerikës”, deklaroi se vitin që vjen, në Shqipëri, do të vijnë kongresmenë dhe senatorë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të parë dhe dëgjuar nga afër atë çfarë ka ndodhur me popullsinë çame. Sipas Muhedinit, vizita që ai zhvilloi në Uashington mund të konsiderohet historike për vetë faktin se për herë të parë, përfaqësuesit e lartë të politikës amerikane u njohën në detaje me këtë çështje. “Ky për ne është një moment historik, që për herë të parë kongresmenët dhe senatorët bëhen me dije për një problem kaq tragjik që ka popullsia shqiptare. Kjo popullsi mban në kurriz një gjenocid, një spastrim etnik, një dëbim dhe spastrim nga shtëpitë dhe vatrat e tyre”, deklaroi kreu i PDI-së për “Zërin e Amerikës”. Nga ana tjetër, Muhedini theksoi se synimi i komunitetit çam ishte dhe miratimi i një rezolute për çështjen çame në Kongresin amerikan. “Ne kemi si qëllim të bëjmë një rezolutë për këtë çështje në Kongresin amerikan. Për arsye se shteti ynë dhe shteti grek nuk e kanë për mbarë ta marrin për zgjidhje këtë çështje. Ne mendojmë se në këtë mes duhet një faktor ndërkombëtar”, theksoi dje Muhedini. Po kështu gjatë intervistës së tij në “Zërin e Amerikës”, Muhedini theksoi se ai kishte zhvilluar takime me kongresmenin dhe senatorë të shumtë, mes tyre edhe kryetarin e grupimit parlamentar demokrat të mazhorancës në Kongresin amerikan, Steny Hoyer.








#