Besimtarët e besimit islam në Kosovë po shënojnë ditën e festës së Kurban Bajramit, ndërsa organizimi qendror, si dhe falja e namazit të Kurban Bajramit, u mbajt në xhaminë "Sulltan Mehmet-Fatih", e njohur si Xhamia e Madhe, në Prishtinë.

Pranë besimtarëve të shumtë që u mblodhën aty, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava përcolli mesazhin e paqes dhe vëllazërimit për të gjithë njerëzit, pa dallim ngjyre, gjuhe besimi a rajoni. Ai bëri thirrje që njerëzit të jenë solidarë ndaj refugjatëve që kanë nevojë.

Myftiu Tërnava ftoi të gjithë njerëzit që të luten për shuarjen e luftërave dhe konflikteve në botë, që të mbizotërojë arsyeja dhe të parandalohet gjakderdhja.

Ai bëri thirrje që të luftohet urrejtja e armiqësia dhe të motivohet buzëqeshja e përqafimi vëllazëror.

Myftiu Tërnava tha se sot besimtarët bëjnë ibadet anë e kënd botës, e në veçanti ata që gjenden në Mekë.

Duke folur për rëndësinë që ka haxhi dhe kurbani, Tërnava tha se këto të dyja determinojnë vlerat më fisnike e më madhështore për shoqërinë.

Tërnava tha se vlera islame është burim i të gjitha vlerave sublime njerëzore.

Islami, tha myftiu, qëllim thelbësor ka bashkimin e njerëzve, që u takojnë ngjyrave, besimeve, rajoneve të ndryshme, rreth qëllimit e idealit të përbashkët.

Myftiu Tërnava foli edhe për rëndësinë që ka ndihma për të varfrit. Ai tha se dhënia e ndihmës për të varfrit nuk pakëson pasurinë, por veç sa ia shton mirësinë asaj.

Tërnava tha se feja islame e ka karakterizuar Kurban Bajramin me sakrificën, duke qenë kështu kurbani është një ibadet që synim ka humanizmin. Gjithashtu, tha ai, kjo festë ka edhe karakterin mirënjohës e falënderues ndaj Allahut.