04/05/2011  Komuniteti: Bashkia nuk u është përgjigjur kërkesave tona, projekti fitues i parakohshëm


Nuk është zgjidhur leja e sheshit të ndërtimit dhe shpronësimi i sipërfaqes së truallit


Myslimanët dalin kundër projektit të përzgjedhur nga Bashkia e Tiranës për ndërtimin e xhamisë së re të kryeqytetit. Përfaqësuesit e këtij Komuniteti bëjnë me dije se projekti i shpallur nga bashkia është i parakohshëm, pasi më parë ky institucion duhet të japë përgjigjet e duhura për ngërçin e krijuar mbi pronësinë e truallit ku planifikohet të ndërtohet godina e xhamisë. Sipas tyre, ndonëse është përkrahur dhe mbështetur nisma e bashkisë, procesi i projektimit duhej të niste pasi të ishin sheshuar të gjitha paqartësitë në lidhje me këtë konflikt. “Procesi i projektimit të xhamisë, megjithëse duhet të fillonte pas zgjidhjes së pronësisë së tokës, në çdo hap është mbështetur dhe përkrahur nga KMSH. Që në fillimin e tij, në takimet e bëra me Bashkinë e Tiranës, Komuniteti Mysliman ka shprehur haptazi paqartësitë në lidhje me shpronësimin e truallit dhe lejen e sheshit të ndërtimit, shqetësim ky i cili nuk ka qenë vetëm i institucionit, por edhe i të gjithë besimtarëve myslimanë, të cilët janë treguar shumë të ndjeshëm në këtë çështje”, pohohet në deklaratën zyrtare të këtij institucioni. Më tej, ata kanë sqaruar se Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është institucioni përfaqësues i të gjithë besimtarëve myslimanë në vend, dhe ka si organ më të lartë vendimmarrës Këshillin e Përgjithshëm, të përbërë nga 92 anëtarë nga mbarë vendi. Në mbledhjen e tij të fundit, Këshilli, pasi diskutoi çështjen e ndërtimit të xhamisë së re në Tiranë, doli me konkluzionin se bashkia fillimisht duhet të zgjidhte problemet me truallin ku do të ndërtohet e më pas të vijohej me projektimin. “Këshilli i Përgjithshëm konstaton mjaft pasiguri, derisa nuk është zgjidhur leja e sheshit të ndërtimit dhe shpronësimi i sipërfaqes së truallit që nuk është në pronësi të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, si dhe paqartësi të tjera. Që nga deklarata e Këshillit të Përgjithshëm, komuniteti ka qenë në pritje të një përgjigjeje nga ana e bashkisë për të sqaruar pasiguritë në funksion të realizimit të plotë të kësaj nisme. Duke qenë se paqartësitë e Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman kanë mbetur akoma pa përgjigje, shpalljen e projektit fitues e vlerësojmë si të parakohshme”, thuhet në deklaratën e këtij komuniteti. Ndërkohë që shtohet më tej se në përzgjedhjen e projekteve të objekteve të kultit, komunitetet fetare përkatëse duhet të kenë rolin kryesor dhe vendimtar, duke qenë se xhamia e re në Tiranë mbetet një nevojë e domosdoshme dhe emergjente për besimtarët myslimanë. Kjo e fundit duhet të finalizohet me bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërinstitucional për realizimin e këtij objektivi. Ndonëse komunitetit nuk i është dërguar asnjë përgjigje zyrtare mbi zgjidhjen e konfliktit të pronësisë, kryebashkiaku Edi Rama ka pohuar gjatë shpalljes së projektit fitues se ndërtimi nuk do të cenojë pronën e askujt, duke mos dhënë detaje se si do të procedohet më tej.