Hetimet rreth vdekjes se biznesmenit shqiptaro-amerikan, Kosta Trebicka, duket se janë pranë zgjidhjes. Spekulimet dhe dyshimet vazhdojnë të qëndrojnë për cështjen.

Kështu shkruhet në të përditshmen amerikane "New York Times", në një shkrim referuar cështjes "Trebicka", për rrethanat e vdekjes të të cilit u desh edhe hetimi i zyrtarit të SHBA-së.

Trebicka, dëshmitar për cështjen e municioneve, u gjet i vdekur muajin e kaluar në një fshat pranë Korcës dhe ngjarja shkaktoi debate të shumta, protesta, akuza e kundërakuza në radhët e politikës.

Pas vdekjes, mijëra mbështetës të opozitës kërkuan hetime te ndershme të cështjes, ndërsa nga Virginia State Police mbërriti në Shqipëri, Kevin Teter,hetues amerikan, i cili dha rezultatet e tij për ngjarjen.

"Duke vlerësuar faktet, Teter konkludoi se gjithcka ishte aksident", shkruhet në gazetë.

Sipas gazetës, vdekja e Trebickës, tregoi se shqiptarët kanë pak besim të autoritetet edhe pasi pushteti komunist ka 18 vjet që është rrëzuar.

Më tej përmendet shpërthimi i Gërdecit, cështja e hetimit mbi korrupsionin dhe papritur vdekja e dëshmitarit më të madh, Trebicka, që ka ngritur pikëpyetje për vende aleate si SHBA-të, që kanë mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj për anëtarësim në NATO.

Edhe Bashkimi Evropian ka punuar fort për të ndërtuar institucione dhe shoqëri të civilizuar në Shqipëri për t'i hapur rrugë integrimit të saj.

"New York Times" citon drejtues të Organizatave jo Fitimprurëse, sipas të cilëve, korrupsioni në Shqipëri vazhdon të jetë sistematik, ndërsa vlerëson se pavarësisht hapave të ndërmarra nga qeveria (të cilat janë direktiva të BE-së), problemi është i pranishëm.

Vdekja e zotit Trebicka, - shkruan më tej gazeta, - ka dëmtuar besimin në një sistem ligjor të lëkundur.

"Njerëzit janë nervozë për këtë shkak dhe kanë frikë të dëshmojnë. Nuk e di se cfarë ka ndodhur me saktësi por ka shenja se njerëzit po hezitojnë të dëshmojnë sepse hetuesit shqiptare dhe gjykatat janë të dobëta", thotë një anëtar i komunitetit ligjor shqiptar, i cituar nga gazeta.  

"New Your Times", më tej shkruan rreth dëshmisë së Trebickës,telefonatave dhe komunikimeve të tij me Efraim Diverolin,apo edhe prononcimeve nga Prokuroria, ku konfirmohet se Kosta Trebicka nuk kishte kërkuar asnjëherë mbrojtjen e tyre, si dhe  reagimin e socialistëve për lënien pa mbrojtje të një dëshmitari kaq të rëndësishëm.