Me zërin e së shkuarës, Namik Dokle i flet së tashmes. "Vajzat e mjegullës", kështu titullohet romani i shkrimtarit dhe politikanit, Dokle, i cili gjendet në Panairin e Librit, në stendën e shtëpisë botuese "Toena". "Vajzat e mjegullës" na thërrasin përmes këngëve të tyre në portat e krahinës së Gorës, atëherë kur vendi sapo kishte dalë nga Lufta e Dytë Botërore dhe po instalohej një pushtet i ri.

namik-dokle-keshilli-i-mandateve-e1439119257996
"Mos shkel aty ku përzihet hajnia me pulitikën", thoshte Majka. "I thonë politikë dhe jo pulitikë", e korrigjonte Salko kur e dëgjonte. "Thuaji po deshe edhe gjelitikë, njëlloj është", ia kthente ajo. "Të gjithë ata që janë ngulur në fshatin tonë, kanë ikur nga sherri e nuk kanë sjellë sherr, derisa hyri ajo që ti e quan politikë dhe unë pulitikë. Që atëherë sofra nuk të ngop, jastëku nuk të çlodh e kroi nuk të freskon. Dhe a e di pse? Sepse ajo ka motër binjake hajninë. Do t'ia dëgjojmë virrmën ndonjë ditë dhe do të na vijë mendja furtunë, do të sulet të na ndërrojë gjakun dhe shpirtin".

Me zërin e së shkuarës, Namik Dokle i flet së tashmes. "Vajzat e mjegullës", kështu titullohet romani i shkrimtarit dhe politikanit, Dokle, i cili gjendet në Panairin e Librit, në stendën e shtëpisë botuese "Toena". "Vajzat e mjegullës" na thërrasin përmes këngëve të tyre në portat e krahinës së Gorës, atëherë kur vendi sapo kishte dalë nga Lufta e Dytë Botërore dhe po instalohej një pushtet i ri. Një pushtet që, siç thotë Majka, magjistarja me një moshë që askush nuk e dinte, do t'ua linte magjet bosh shqiptarëve. Libri na kthen pas në kohë, në fëmijërinë e autorit, i cili ka hedhur në roman gjithë kujtimet e tij nga vendi i lindjes, por edhe histori e ngjarje që u kanë ndodhur njerëzve që ai ka njohur në ato vite. Përmes një përshkrimi të gjallë, plot ngjyra, vijnë në libër doket, zakonet, këngët, vajet, kulinaria, gjuha, historitë, legjendat dhe bestytnitë, duke na hapur një botë të panjohur, gati mitike. Kjo e bën librin më tërheqës dhe, siç shprehet Zija Çela, e bën autorin më të besueshëm.

"Duke zbuluar identitetin e një komuniteti të vogël, atij goran, që jeton në 29 fshatra në tre kufij të sotëm shtetërorë, Namik Dokle zbulon njëkohësisht edhe identitetin e vet", thotë ai. Kjo mënyrë të rrëfyeri, e nxjerr "Vajzat e Mjegullës" nga qerthulli i një libri me histori nga vitet e para të diktaturës, i cili mbyllet me fundin tragjik të një mësuesi që shkruante poezi e dëgjonte "Zërin e Amerikës".

Ai rrëfen për një udhëkryq kulturash. Por, nga ana tjetër, Gora, kjo krahinë në kufi me Maqedoninë e Kosovën, pjesë e ish-Jugosllavisë, mund të jetë e gjithë Shqipëria, në kapërcyell të ndryshimeve të mëdha, që do të shënjonin një gjysmëshekulli. Zëri i autorit vjen herë përmes fëmijës, i cili sheh me kureshtje dhe habi gjithë sa ndodhte rreth tij.

Se si pushteti i ri komunist po hidhte rrënjët, se si mbolli "Stalinët" e vet kudo, se si njerëzit filluan të varfëroheshin, të vuanin urie, oficerët e Sigurimit të shpifnin, t'u merrnin shtëpitë, si u shtuan oshtimat e krismave të vrasjeve në kufi, pse njerëzit dëshpërimisht kërkonin të largoheshin, sa mbetën në brezin e "butë"... Me naivitetin e një fëmije ai thotë se "komunizmi e lë njeriun lakuriq".

E herë-herë autori flet përmes zërit popullor, përmes zërit të Majkës, e cila politikës i bën për motër hajninë, vjedhjen. Këtë atmosferë ndërrimi motesh, autori e jep më së miri, përmes fletëve të ditarit, që mbante xhaxhai i djalit rrëfimtar.

Në një bllok ai shënonte "ngjarjet e fshatit". Aty gjen që nga zënkat banale mes grave, te mbledhja e barit, te vrasjet në kufi, arratisjet, dorëzimi i drithit dhe mishit me detyrim, e deri te vdekja e Stalinit dhe vizita e Enver Hoxhës.

ALMA MILE