Është ndarë nga jeta artisti, krijuesi dhe kompozitori shqiptar, Mark Kaftalli, i njohur me epitetin Paganini i Shkodrës. Ai ishte grumbullues, përpunues dhe orkestrues i këngës popullore, ka kompozuar mbi 750 këngë, ka transkriptuar dhe harmonizuar mbi 400 këngë popullore shkodrane, si dhe është autor i shtatë operetave.

Mark Kaftalli u lind në Shkodër më 14 dhjetor 1933. Ka kryer kursin e violinës pranë Shtëpisë së Kulturës, nën drejtimin e mësuesit Zef Alimhilli në vitin 1949-1952. Më vonë në vitin 1952-1955, kreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak pranë Ansamblit të Ushtrisë në Tiranë, ku vazhdoi studimet për violinë nën kujdesin e kompozitorit-violinist Nikolla Zoraqi.

Pas kryerjes së shërbimit ushtarak në vitin 1955 deri në vitin 1969, punoi nën kujdestarinë private të kompozitorit Preng Jakova. U prezantua për herë të parë në shtëpinë e kulturës të qytetit të Shkodrës me orkestrën e madhe dhe korin e këtij institucioni, ku Gjon Saraçi ishte në piano dhe Prenk Jakova ishte shefi dhe drejtuesi i muzikës.

Suksesi i Markut ishte befasues për nga talenti i tij i jashtëzakonshëm. Karriera e tij deri në daljen në pension ka vazhduar pa ndërprerje për 30 vjet në Teatrin "Migjeni", si udhëheqës artistik. Ai në vitin 1962 realizoi festivalin e parë të muzikës së lehtë në Shkodër dhe ishte drejtues i orkestrës së Estradës për rreth 30 vite në Shkodër, si dhe drejtues i formacionit të Kafes së Madhe.

Që në krijimin e shkollës së muzikës (sot shkolla artistike kombëtare "Prenk Jakova"), Kaftalli punoi si mësues violine me nxënës si: Lorenc Mosi, Angjelin Gjoni, Çesk Marashi, Edi Ndoja, Nimet Salabegu, etj.

Ka marrë pjesë si violinist në formacione të ndryshme artistike në turne jashtë Shqipërisë, përfshirë këtu me ansamblin e Ushtrisë në Kinë, Kore, Vietnam, Mongoli si dhe në ish Bashkimin Sovjetik (1955), me formacion miks-popullor në Romani (1971), me Orkestrën e Radio Shkodrës, në Kosovë (1980) me Orkestrën e Shtëpisë së Kulturës në Turqi (1981), me orkestrën private në Francë e Gjermani (1994), si dhe gjatë viteve 1994-2005 në Kosovë e Mal të Zi i ftuar si violinist.

Është nderuar me çmime të shumta, si dhe me urdhërat: "Naim Frashëri" i klasit të dytë në vitin 1969 dhe "Naim Frashëri" i klasit të parë në vitin 1983 dhe mban titullin titullin "Mirënjohje e Qytetit", akorduar nga Bashkia e qytetit të Shkodrës. Në vitin 2012 nderohet me diplomën "Mirënjohje", në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë.