TIRANE-Ndahet nga jeta Alfred Paloka, ish-deputet i Kuvendit të Shqipërisë si dhe një nga figurat më të spikatura akademike në fushën hidroenergjitike në vend. Akademiku i njohur Paloka ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme pas një sëmundje të rëndë.
Homazhet për nder të tij do të mbahen sot tek Shtëpia e Oficerëve në orën 13.00-14.00.
Alfred Paloka ka qënë deputet i Kuvendit të Shqipërisë i Partise Socialiste nga viti 1992 deri në vitin 1996. Alfred Paloka, për një periudhë 45 vjeçare, ka kontribuar në fushën e elektroenergjetikës. Për 23 vjet rrjesht, ai ka qenë pedagog e drejtues në Fakultetin e Inxhinjerise se Universitetit te Tiranës (sot Universiteti Politeknik), ku ka fituar dhe gradat shkencore “Kandidat i Shkencave” dhe “Doktor i Shkencave”, si dhe titullin Docent.
Për një periudhe 10 vjeçare ka punuar ne Sistemin Energjetik Kombetar, në Institutin e Energjetikës dhe KESH, me detyra të rendësishme studimore e drejtuese. Gjatë tërë kësaj periudhe, ka realizuar një aktivitet të pasur shkencor që mund të permblidhet sipas këtyre drejtimeve: Autor i 14 librave, teksteve, monografive shkencore si: Shfrytëzimi i Energjisë Ujore, Elektoteknika e Përgjithëshme; GRAFET (Përdorime në Elektroteknikë, Elektronikë, Automatikë etj.), Qarqet Elektrike Shifrore, Energjetika, Elementë të Informatikës Teknike, Elektrifikimi dhe Automatizimi i Makinerive të Ndertimit, Përafrimi Analitik i Varsive Eksperimentale, etj.
Autor dhe bashkëautor në shumë studime e projekte në dobi të Sistemit Kombëtar të elektroenergjise.
(d.b/BalkanWeb)