Koncerti
Ansambli “Myzeqeja”, në skenë për festat e fundvitit

Ansambli “Myzeqeja” i Fierit, mbrëmjen e së shtunës ka vënë në skenë një shfaqje premierë në skenën e teatrit “Bylis”. Artistët e këtij ansambli u ngjitën në skenë duke nderuar, mes të tjerave, edhe figurën e koreografit Shaqir Seci. Shfaqja e ansamblit “Myzeqeja” ka ardhur për publikun fierak si një dhuratë për festat e fundvitit. Salla e mbushur me spektatorë ka duartrokitur dhe nderuar koreografin Shaqir Seci, i cili është ndarë nga jeta dy vjet më parë. Për këtë arsye, një pjesë e mirë programit të shfaqjes ishte përzgjedhur nga krijimtaria e mirëfilltë e këtij koreografi si dhe e kompozitorit të njohur fierak, Nikollaq Bulo.


“Dua që me këtë shfaqej t’i bëj homazh në emër të të gjithë artistëve dhe intelektualëve, figurës së koreografit të dashur, i cili fizikisht nuk ndodhet më me ne, por që me atë që la pas është gjithnjë i pranishëm me këtë ansambël”, - tha moderatori i programit, Astrit Hasani. Shaqir Seci drejtoi dhe orientoi me shumë pasion ansamblin “Myzeqeja”. Puna dhe veprimtaria e këtij koreografi zgjati shumë vjet, duke lënë gjurmë e marrë vlerësime të mëdha. Hasani gjithashtu i ka dhënë vlerë të gjithë artistëve dhe muzikantëve që ka nxjerrë krahina e Myzeqesë dhe më shumë, rrethi i Fierit. Elementët përbërës të shfaqjes së fundvitit të ansamblit “Myzeqeja” ishin këngë e valle të Myzeqesë, por edhe të trevave të tjera, me kostume të zonës, shoqëruar me tingujt e orkestrës së këtij ansambli. “Myzeqeja” regjistron me qindra shfaqje të dhëna si në skenën e teatrit “Bylis”, edhe skenave të tjera vendase. Gjithashtu, ky ansambël ka dhënë shfaqe edhe në vende të ndryshme ballkanike dhe europiane.