Krateri i një vendbanimi neolitik në fshatin Vashtmi të Korçës është dëmtuar nga ndërtimet e reja. Pjesa e vendbanimit është rrethuar me mure, ndërsa në territorin në nëntokën e të cilit arkeologët pretendojnë se ka objekte me vlera arkeologjike janë hedhur shtresa me zhavorr dhe çakëll. Ky pretendim vjen nga ana e muzeut arkeologjik të Korçës ku sipas përgjegjësit Florenc Cenolli, në këtë territor ndodhet në një shtrirje të gjerë një vendbanim i neolitit të hershëm. Rrethimi i zonës ku shtrihet vendbanimi dhe hedhja e inerteve mbi të ka bërë që Drejtoria e Muzeut Arkeologjik të Korçës të kërkojë pezullimin e punimeve. Përgjegjësi Florenc Cenolli deklaron se në një sipërfaqe me shtrirje të madhe në zonën ku janë kryer punime private ekziston një vendbanim në të cilin janë kryer edhe kërkime arkeologjike, ndërkohë që zona është monument kulture. Ndërhyrjet që janë bërë sipas përgjegjësit të muzeut, i cili ka bërë inspektimin e zonës edhe pse në pronësi private, kanë bërë që të preket vendbanimi i neolitit, duke shkaktuar dëmtimin e vlerave arkeologjike, pasi tashmë mbi të janë hedhur shtresat dhe është bërë betonimi përreth. Sipas përgjegjësit të muzeut arkeologjik në Korçë, Florenc Cenolli, është kërkuar pezullimi i menjëhershëm i punimeve në këtë territor, pasi aty janë zbuluar objekte të rralla, të cilat dëshmojnë për ekzistencën e vendbanimit. "I kemi kërkuar nëpërmjet komunës pronarit të truallit të pezullojë menjëherë punimet, pasi nga avancimi i tyre është shkatërruar plotësisht pjesa e kraterit të vendbanimit neolitik të fshatit Vashtmi. Në këtë pjesë, ku janë kryer punime, rezulton se ndodhet vendbanimi i neolitit të hershëm dhe nga gërmimet që janë kryer me ekspedita të mëparshme nëntokë janë identifikuar shenjat e jetesës së hershme dhe një sërë objektesh, të cilat mbahen të dokumentuara në muze. Nga hedhja e shtresave me zhavorr dhe çakëll për llogari të vetë pronarit të truallit, është mbuluar krejtësisht zona ku ndodhet kjo pjesë e vendbanimit, në një kohë që ne kemi planifikuar të kryejmë edhe një ekspeditë me një etapë të dytë kërkimore me gërmime. Pasi punimet kanë avancuar, i janë dërguar Komunës së Libonikut shkresat zyrtare për të ndaluar punimet në këtë vend, si pasojë e shkatërrimit të vlerave arkeologjike të sitit të Vashtmit", thotë Florenc Cenolli. Pronari i truallit, Luanar Belishta, thotë se nuk ka qenë në dijeni të faktit se në truallin e tij, ku janë kryer ndërtime, ka ekzistuar më parë një vendbanim që u përket monumenteve të kulturës dhe ka vlera arkeologjike. Ai pretendon se pas ankesës nga ana e institucionit të muzeut dhe sigurimit të dokumentacionit në fakt ka mundur të saktësojë edhe nëpërmjet topografëve se vendbanimi ndodhet i pozicionuar më larg se trualli i tij edhe pse ky i fundit është betonuar dhe shtruar me çakëll. "Pasi më është kërkuar të ndërpres punimet në një kohë që disponoj dokumentacionin e plotë mbi pronësinë, kam kërkuar edhe anën dokumentare për të saktësuar me piketime se ku ndodhet vendbanimi që pretendohet nga muzeu. Më ka rezultuar se në truallin tim nuk kalon vendbanimi, pasi nga matjet dhe planimetria ai është në distancë nga vendi ku unë po kryej punime. Kam kontaktuar edhe me Drejtorinë e Monumenteve të Kulturës dhe nga ana e muzeut këtu nuk kanë ardhur me një hartë specifike. Vetëm më është kërkuar të ndërpres punimet, pasi mendohet se këtu ndodhet një vend që i përket arkeologjisë. Kam ndërprerë përkohësisht punimet, por këto do t‘i vazhdoj, pasi mendoj se ndërhyrja nga ana e muzeut është e gabuar", shprehet Luanar Belishta. Në këtë zonë ku ndodhet i pozicionuar vendbanimi i hershëm mijëravjeçar, sipas Cenollit janë kryer gërmimet e para në vitin 1974, ndërkohë që sipas tij aty mund të ketë edhe objekte të tjera me interes arkeologjik dhe për këtë arsye vitin e ardhshëm do të zhvillohet një ekspeditë kërkimore në një etapë të dytë. Sipas tij, nga survejimi dhe gërmimet janë gjetur objekte qeramike që datojnë nga neoliti i hershëm. Këto objekte janë të ruajtura në muze dhe kanë mbishkrimin e vendbanimit nga ku janë gjetur.