13/05/2005  Kuvendi i ka dhënë të drejtën Avokatit të Popullit që të ketë akses në të gjitha zyrat shtetërore, për të cilat ka ankesa nga populli. Parlamentarët kanë miratuar dje ndryshimet mbi ligjin për funksionimin e Avokatit të Popullit. Sipas këtyre ndryshimeve, personat që punojnë në këtë zyra kanë të drejtë të pakontestueshme që të zhvillojnë hetime në zyrat për të cilat ka ankesë. Ndërsa kur vërehen shkelje të rënda, parashikohet që Avokati i Popullit do të ketë të drejtën që të vërë në lëvizje dhe Gjykatën Kushtetuese. Nga ana tjetër, gjatë procesit të hetimit, zyra e Avokatit të Popullit do të ketë të drejtën që të thërrasë në pyetje persona pa imunitet, që mund të jenë të lidhur me një çështje të caktuar. Parlamentarët kanë miratuar dje dhe ndryshimin në formulën e betimit të Avokatit të Popullit që do të jetë: "Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia do të mbroj kurdoherë liritë dhe të drejtat themelore të njerëzve pa dallim, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e RSH-së".