Nga Ejup LLUMNICA



Mitrovica dhe Peja këtë javë do të jenë arenat e ndeshjeve kryesore të Superligës së Kosovës. Në Mitrovicë ballafaqohen dy skuadrat me një rivalitet të theksuar ndërmjet veti, Trepca '89 dhe Trepca, madje në këtë ndeshje FFK-ja ka vendosur që edhe gjyqtari të jetë mitrovicasi (Isa Mustafa). Ndërkaq në Pejë, Besa do të jetë mikpritëse e skuadrës shumë të rrezikshme, Kosovës së Vushtrrisë. Prishtina udhëton në Prizren për fitore, e cila mund t'i sjellë në pozitën e parë të tabelës.
Trepca'89 – Trepca
Në ballafaqimin e dy Trepcave gjithcka do të jetë mitrovicase, madje edhe gjyqtari i ndeshjes do të jetë nga po ky qytet. Pas një kohe shumë të gjatë, përsëri në përballje, dhe atë në elitën e futbollit kosovar, do të vijnë dy skuadrat nga Mitrovica, Trepca '89 dhe Trepca, të cilat në këtë stinor kanë hyrë shumë të mobilizuara. Edhe pse pa përballje një kohe të gjatë, rivaliteti i tyre është shumë i madh. Përvec angazhimit maksimal për ta ruajtur nderin në qytet, adhuruesit e futbollit do të kenë rast të shohin një përballje të zjarrtë edhe të tifozerisë mitrovicase.
Besa - Kosova (V)
Gjithsesi formën e mirë që po tregojë futbollistët e të dyja skuadrave me plot të drejtë i kanë dhënë këtij ballafaqimi epitetin e njërës prej ndeshjeve kryesore të kësaj jave. Kampioni aktual, Besa, është favorit në fushën e saj, mirëpo vushtrriasit këtë edicion kanë befasuar shumë skuadra të mëdha si mysafirë, andaj shumë lehtë një gjë e tillë mund të ndodhë edhe këtë herë.
Liria - Prishtina
Dy skuadra me traditë dhe rivalitet të theksuar në futbollin tonë. Gjithmonë ballafaqimi i tyre ka zgjuar kërshëri të madhe tek adhuruesit e futbollit, gjë e cila pritet të ndodhë edhe këtë herë, edhe pse prizrenasit kohëve të fundit janë duke kaluar nëpër një krizë të theksuar në organizim. Prishtina në Prizren do të udhëtojë për fitore, e cila mund ta pozicionojë edhe në vendin e parë.
Besiana - Shqiponja
Edhe përkundër disa problemeve që janë paraqit në skuadrën e Besianës, ata prapë janë favorit në përballje me skuadrën e Shqiponjës, e cila vërtetë është duke treguar paraqitje të mira. Sipas taborit pejan, ata në Podujevë do të udhëtojnë për rezultat të favorshëm. Se a do të ndodh kjo apo llapjanët nuk do të lejojnë që problemet e tyre në skuadër të paraqiten në fushë mbetet të shihet.
Ferizaj - Flamurtari
"Kuqezinjtë" e Prishtinas, pasi fitores minimale kundër kampionit aktual, Besës, dukshëm e kanë shtuar vetëbesimin e tyre për fitore të reja. Kjo ka bërë që ata në Ferizaj të udhëtojnë me apetit të shtuar, për të arritur rezultat të favorshëm. Se sa do ta lejojnë këtë ferizajasit apo edhe më tutje do të vazhdojnë të mbizotërojnë në terrenin e tyre, le të shihet në fushë.
Gjilani - KEK-u
Nëse bazohemi në paraqitjet e fundit të skuadrës së KEK-ut, atëherë me plot të drejtë mund të themi se do të jetë shumë vështirë për skuadrën e Gjilanit që në këtë takim të arrijë fitore, edhe pse paraqitet në fushën e vet. Fitorja 2:1 ndaj Prishtinës dhe 5:0 ndaj Lirisë, edhe një herë ka dëshmuar për një skuadër mjaft të mirë të KEK-ut, e cila tashmë është stabilizuar në mesin e tabelës.
Drenica - Vëllaznimi
Drenicasit, pas barazimit ndaj Kosovës së Vushtrrisë si mysafirë, si duket kanë kaluar krizën, e cila i kishte përcjellë në javët e fundit, andaj edhe me të drejtë pritet fitore e lehtë e tyre në ballafaqim me skuadrën e re të Vëllaznimit, e cila, edhe sivjet, si duket, nuk është gjithaq kundërshtar i denjë.
Kosova (P) - Hysi
Edhe pse llapjanët janë mysafirë dhe nuk kanë treguar gjithaq lojë të mirë, megjithatë ata janë favorit në përballje me të fundit në tabelë, Kosovën e Prishtinës, e cila pas 11 ndeshjeve ka siguruar vetëm një barazim dhe vështirë se mund të bëjë dic më shumë edhe këtë herë.

ORARI I NDESHJEVE
E shtunë
Skenderaj: Drenica - Vëllaznimi
I. Ejupi, F. Jakupi, N. Krasniqi
Podujevë: Besiana - Shqiponja
A. Hoxhaj, A. Haliti, A. Morina
Prishtinë: Kosova (P) - Hysi
I. Shulea, G. Havolli, N. Mehana
E diele
Pejë: Besa - Kosova (V)
S. Domi, B. Fejzullahu, J. Musolli
Prizren: Liria - Prishtina
H. Hajdari, G. Daka, F. Brahushi
Mitrovicë: Trepca '89 - Trepca
I. Mustafa, S. Mehmeti, F. Agërbashi,
Ferizaj: Ferizaj - Flamurtari
I. Kelmendi, A. Gashi, I. Veseli
Gjilan: Gjilani - KEK-u
P. Hasani, G. Shala, N. Ajvazi
(Të gjitha ndeshjet fillojnë në ora 13:30)