Nga Antena brenda familjes

I dashur Lulzim!


Po të shkruaj ty, se s’kam me kë e ndaj gëzimin veç teje. Nuk do ta harroj kurrë atë që ti dhe avokatët e tu bëtë për tim bir. Sot më njoftoi i gëzuar se çështja do t’i pushohet me procedurë, pasi gjykata nuk ia shtyn më afatin hetimeve të prokurorisë për pastrim parash. Kjo është një mrekulli.


Ti e di sa e shqetësuar kam qenë unë, nëse fillonte gjyqi. Dhe nuk jam e shqetësuar për Damirin, se atij s’kanë ç’i bëjnë, po për vajzën e atij mikut tonë që ka marrë përsipër gjithçka. Do t’i dilnin të gjitha tani dhe mua s’më mbante vendi. Përfytyro që të hapeshin letrat në gjyq dhe të dilte që studioja e vajzës së tij ka të drejtë të tërheqë pará nga llogaria e tij private. Dhe s’i thonë pak, 2 milionë e 500 mijë euro në gjashtë muaj vetëm nga Banka Italo-Shqiptare. Ishte siklet i madh. Le që më thanë dhe për ata fshatarët në Porto Romano që qenkan ngritur në protestë. Ata nuk kishin asnjë copë tokë me hipotekë, kishin vetëm tapi të ndara nga kryetari i komunës. Shkoi Damiri me Argitën, u tha: “Nëse doni lekë, na jepni ne tapitë, u biem nesër hipotekën dhe pasnesër të na e shisni ne me 100 lekë metri katror.” Ata që u treguan të zgjuar, pranuan. Pa tokë se pa tokë ishin. E shitën dhe morën lekët. Do thuash ti që janë pak. Pak, po qyl i kanë. Mund të mbeteshin gjithë jetën pa lekë. Tani qenkan zgjuar nga gjumi dhe paskan dalë në protestë duke thënë: “Duam hipotekën, se na e blen tokën Fazlliçi.” Njerëz të pabesë. I bëri njerëz, u dha lekë dhe s’ia dinë për nder.


Por frikën më të madhe dhe Damiri e kishte për KESH-in. Ka marrë mbi 100 milionë euro tenderë. Dhe jo me garë, por me e-mail-e. E kishte rregulluar me atë Bojaxhiun, si e ka ky djali i mirë që ka ardhur nga Amerika, dhe Damiri i dërgonte ofertën me e-mail, ai e shpallte fitues. Një herë që nuk doli fitues, u desh të ndërhynte ai burri dhe ai drejtori tha: “Më falni, se s’e paskam parë e-mail-in, ka ardhur më parë dhe e ka gjysmë cent më poshtë.” I ka bërë nder në fakt, e ka ndihmuar shumë. Jo se ia dimë atij për nder, për nder ia dimë atij burrit, por dhe ai korrekt është treguar. E për këto tenderët kisha shumë frikë, se do dilte që ka marrë 100 milionë euro dhe do mbetej keq ai burri që ka thënë që Damiri s’ka marrë asnjë lek nga fondet publike. Në fakt, ka marrë 100 milionë euro nga energjia elektrike dhe ka bërë një pasuri 50 milionë euro nga toka shtetërore. Po të dilnin këto në gjyq, do ishte keq. Falë teje dhe avokatëve të tu, që shpikën këtë mbylljen e gjyqit me procedurë, ai tani është i qetë. Është dhe fushatë elektorale dhe kush i dëgjonte ata.


Se dhe Damiri nxitohet pak. I kisha thënë, bëj kujdes kur flet në media, se ka plot njerëz që s’të duan të mirën. Ai u nxitua. Në fillim tha që ia kam shitur vetes kompaninë në Qipro. Aty ata e kuptuan që Damiri është pronar i kompanisë “Altaria” në Qipro, “Altaria” është pronare e kompanisë “Rudnap” që u ka shitur energji, d.m.th., del që Damiri është pronar i kompanisë që ka fituar 100 milionë euro energji elektrike.


Kjo do ta vinte në siklet të madh atë burrin. Mbyllja me procedurë e gjyqit është fitore e madhe. Të paktën nuk telendiset në publik para zgjedhjeve. Pas zgjedhjeve të bëhet ç’të bëhet.


I dashur Lulzim.


E di që gëzimi im të bezdis pak sot, se ty të është rihapur prapë gjyqi, por unë s’kam me kë e ndaj këtë gëzim. Ti je aq i lidhur me mua dhe tim bir, saqë keni marrë dhe të njëjtin avokat, shkoni në gjykatë me të njëjtën makinë dhe po i mbyllni me të njëjtën procedurë proceset. Damiri ishte shumë i gëzuar sot. Nuk di a do ta rihapë më kjo prokuroria çështjen apo jo, por Damiri më tha se disa nga ata prokurorët janë shumë korrektë. I kishin thënë që në fillim: “Mos u mërzit, se nuk e hamë ne ta çojmë deri në fund hetimin për miqtë e atij burrit.” Po Damiri s’e besonte, se dëgjonte atë burrin që i shante dhe mendonte se i kishte kundërshtarë. Tani e kuptova dhe unë që ashtu ishte skenari. D.m.th., ai t’i shante, ata të sabotonin procedurat si në rastin tënd dhe çështja të mos gjykohet.


Po e mbyll këtë letër me urimet më të mira për ty dhe miqtë e tu dhe suksese në zgjedhje!


E jotja, nënë Jovanka.