Nga Antena brenda familjes

I dashur Lulzim.


Me gëzim të madh e prita mbylljen e çështjes tënde në Gjykatë. U gëzova, jo vetëm pse procesi ndaj teje ishte i qëllimshëm për të të diskredituar ty dhe mikun tonë të shtëpisë, por mbi të gjitha dhe se ata janë ziliqarë për atë kryevepër që po bëhet në ato male.


Dje, Damiri më tha që të njëjtën gjë kishte ndërmend të bënte dhe ai. Për fat të mirë keni të dy një avokat, dhe më bëhet zemra mal, kur shkoni në gjykatë, se e shoh që shkoni me të njëjtën makinë dhe të njëjtën eskortë.


Damiri e nisi procesin. Me ata të prokurorisë është folur. E kishin siguruar se do bënin atë stil që bënë me ty. D.m.th., ata do vonojnë hetimet, do kërkojnë shtyrje afati, gjykata nuk do t’ua pranojë, pastaj Damiri do kërkojë të shpallen hetime të pavlefshme dhe të mbyllë procesin. M’u duk rrugë shumë e lehtë dhe e mirë kjo. Dhe duket që shqiptarët janë njerëz të mirë. Vetëm opozita është e keqe dhe ca gazetarë, se populli është i mirë. Se ta kishe bërë në ndonjë vend tjetër këtë, të ngrihej populli të mbyste. Po ata janë njerëz të mirë.


Dëgjova dhe për atë mikun tënd, Fahriun. Dhe atij duan t’i hapin proces. Damiri ishte i shqetësuar. Më tha: “E kemi mik për kokë, se vetëm ai na ka mbrojtur në ditë të vështira.” Dhe m’u kujtua që vetëm ai na mbrojti. Damiri tha se i ka punët keq, pasi mund ta marrin të pandehur. Paska qenë disa herë në Bosnjë këtu me Delijorgjin, s’di se ç’kanë dashur, me ca serbë dhe malazezë që merren me armë. Po Damiri ka hall se mos zbulohet ajo puna e takimit në shtëpinë e tij, që tha ai që u vra në aksident, ai Trebicka. Se Damiri thotë që takimi është bërë në shtëpinë e këtij Balliut, se ky e ka pas te rruga Fortuzi, dhe se ky është paraqitur si djali i Berishës që s’di anglisht, se ai s’di anglisht vërtet, tha Damiri. Ai Diveroli, ngaqë ky rri i vrenjtur dhe i bëhen rrudhat vertikalisht, kishte thënë m’u duk se kishte një tatuazh, po në fakt i ka rrudha. Damiri thotë se në atë takim u vendosën shumë gjëra. “Ai Kosta ishte një budalla, - thotë, - që ngatërroi dynjanë dhe na shpëtoi.” Po në atë takim u vendos të hiqej nga loja Henri Tomei dhe gjithë punët t’i merrte Delijorgji. Firma e Tomeit thjesht do faturonte ndërmjetësinë. Diverolit i është thënë qartë se ky njeri ishte djali i Berishës dhe çdo gjë duhej bërë si të thoshte Pinari. Ma kishte thënë shpesh Damiri këtë skenë. Se ky Pinari çdo fundjavë në Mal të Zi dhe Bosnjë e kalonte, tek ata miqtë e vet. Madje, ai Fahriu tentoi ta hiqte njëherë, por pastaj Damiri thotë që i gjetën një shok atij Mediut nga Fieri, me të njëjtin emër, i dhanë njëqind mijë euro dhe e ktheu brenda natës në punë, duke hapur llaf që ia kishin thënë amerikanët. E keni kollaj ju në Shqipëri. Bëni ç’të doni, u fusni një “e kanë thënë amerikanët”, dhe nuk pyet më njeri.


Me gjithë këto zhvillime, më duket gjë e mirë që gjykatat dhe prokuroria nuk përzihen në këto punë. Bëjnë mirë që shikojnë punët e veta. Të gjithë flasin për pavarësi, po ato janë tamam të pavarura. Nuk i përzihen njeriu nëpër këmbë. I mbyllin me qetësi këto çështje. Se po u hapën këto, hajt t’i mbyllësh pastaj.


Ja për shembull, t’i hysh kësaj punës së këtij mikut tënd, Fahriut, që do ta kesh dhe deputet në Elbasan, kushedi ku del puna. Po më vjen mirë që djali i atij burrit po del i pastër dhe paska qenë ky Fahriu “djali” i tij në gjithë këtë punë. Të paktën kështu më tha Damiri. “Ka një plan, - tha, - t’ia faturojë këtij, në rast se ecin hetimet dhe të mbyllet jo-politikisht çështja.” Po mua më vjen keq dhe për atë. Se më kujtohet gjithmonë që ishte i vetmi që e mbrojti Damirin.


Megjithatë, të bëhet si të jetë shkruar. Më bëhet qejfi në radhë të parë që je mirë dhe që po mundohesh të mbijetosh në këtë situatë. Po ashtu gëzohem shumë që drejtësia nën shembullin tënd mund të falë dhe tim bir dhe më pas uroj nga zemra dhe për atë Fahriun. Desha t’i bëj një letër dhe atij burrit, por më thanë që ka ikur në Kinë të flasë për rritjen ekonomike të Shqipërisë dhe t’u tregojë atyre “dragonjve” të Azisë se si zhvillohet ekonomia. Damiri qesh gjithmonë, kur kujton atë këngën e vjetër tuajën: “Dy luanë ka gjithë bota, një Azia, një Evropa”. Në fakt, tani vetëm një ka mbetur, ky joni në Tiranë. Të gjithë të tjerët po na lënë njëri pas tjetrit.


Urime dhe suksese në fushatë. Amanet Fahriun mos ma nda nga tribuna, ta shikojë populli që jeni të bashkuar dhe do keni të njëjtin fat.


Me mall, Nënë Jovanka