Shumë njerëz që emigronin në Francë kërkonin të ndryshonin emrin, donin të ishin anonimë në vendin pritës, të fshinin përgjithmonë identitetin e tyre të vjetër për të ndërtuar një jetë të re. Tani, emigrantët e rinj me origjinë afrikane kanë nisur të bëjnë rrugën e kundërt, duke kërkuar që të kthehen sërish në modë emrat e prindërve të tyre. Një shenjë e keqe sipas specialistëve, edhe pse askush nuk është ende në gjendje të përcaktojë përmasat e këtij fenomeni. Por, në vend ka fëmijë me emrat Tieri apo Zhak, e që duan të quhen Mustafa ose Muhamed. Ata ndihen të përjashtuar nga shoqëria franceze dhe mendojnë se emri i pagëzimit që kanë nuk i ndihmon të integrohen në një shoqëri ku të rinjtë me origjinë ekstrakomunitare janë më të shumtë, kur bëhet fjalë për vështirësi. Kështu, përqindja e të papunëve mes tyre, ose të burgosurit janë më të mëdhenj në numër krahasuar me mesataren. Kjo është një nga paradokset e shoqërisë transalpine, që nga njëra anë përkrah Barak Obamën, por nga ana tjetër nuk është në gjendje të zgjedhë ndonjë deputet me origjinë afrikane. Është e vështirë ta përshkruash inatin dhe zemërimin e të rinjve francezë me origjine subsahariane. Të mbash një emër me origjinë afrikane do të thotë shpesh të të mbyllin në fytyrë shumë dyer dhe për shkak të paragjykimeve të mbetesh edhe pa punë. Disa familje kishin kërkuar që ta kalonin këtë problem duke ndryshuar të paktën emrin e fëmijëve të tyre. Por sot, Tieri-t, Zhak-ët, apo Martin-ët me origjinë afrikane duan të kenë emra që i përkasin komunitetit të tyre. Një fenomen ende dytësor ky. Deri më tani, vetëm një rast ka tërhequr vëmendjen, ai i Melun-it, qytezës me 38 mijë banorë, disa kilometra larg kryeqytetit. Në gjykatë, gjyqtarët janë thirrur që të japin vendimin e tyre mbi qindra dosje të këtij tipi. Një numër i pazakontë sipas "Parisien", që i ka kushtuar një rëndësi shumë të madhe kësaj çështjeje. Fondamentalizmi islamik nuk ka lidhje fare me kërkesat. Më tepër ideja që mund të mos kuptohesh nga të tjerët. Në fakt, është e sikletshme të kesh një emër të krishterë me tipare fizike ekstraevropiane, ndërkaq një njeri me emrin Zhak, që e ka ngjyrën e lëkurës ndryshe nga e bardha, do të shkaktonte shumë polemika. Sipas zëvendësprokurorit të republikës, Herve Çarls, ato pyetje "përbëjnë një fenomen të vërtetë në shoqëri. Njerëzit që paraqesin kërkesat, në pjesën më të madhe burrat, edhe pse gratë nuk mungojnë, e bëjnë këtë për arsye kulturore ose fetare". Kush kërkon të ndryshojë emrin e pagëzimit e bën sepse nuk ndihet i integruar në asnjë pjesë të shoqërisë, as mes francezëve të "vërtetë", as mes miqve të komunitetit. Ndihet i mënjanuar, i lënë pas dore. "Gjatë bisedave që kam pasur me ta, shumë prej tyre thonë se trajtohen në mënyrë të panjerëzishme, ndërsa të tjerë dorëzohen para një shoqërie që nuk i konsideron pjesë të tyren", tregon prokurori. "Ka një mospërputhje mes fizikut dhe emrit tim", thotë Zhaku me origjinë algjeriane. Sipas ekspertëve, bëhet fjalë për një fenomen akoma të kufizuar, por gjithsesi shqetësues, që përkthehet në dëshirën për t‘u izoluar më shumë se sa për t‘u integruar. Ky është edhe mendimi i gjyqtarëve: "Këto ndryshime shkojnë kundër dëshirës për t‘u integruar në shoqërinë franceze". Por nëse në Francë ndryshimi i emrave bëhet për shkak të mosintegrimit në shoqëri, në Britaninë e Madhe është krejt e kundërta. Emri Muhamed është më i pëlqyeri mes fëmijëve dhe që nga viti 2006 ka njohur një rritje të paimagjinueshme. Kështu, nga regjistri i gjendjes civile në Mbretërinë e Bashkuar tregohet një shifër historike, emri më i përdorur për fëmijët britanikë të seksit mashkull është Muhamed, në versionet e tij të ndryshme, të cilat varen nga vendi ku një mysliman e përkthen emrin Muhamed nga gjuha angleze në atë arabe Mohammed, Muhammad, ose Muhamed. Me këtë emër janë quajtur në Mbretërinë e Bashkuar 5991 fëmijë meshkuj brenda vitit 2006, duke zënë vendin e dytë në klasifikimin e emrave më të përdorur pas emrit Xhek. Ky i fundit (Xhek) renditet i pari me 6928 preferenca, madje edhe përpara emrave si: Tomas, Xhoshua, Oliver, Herri, Xhejms, Uilliam, Samuel dhe Daniel, bashkë me Muhamed dhe Xhek janë 10 emrat më të përdorur në Angli. Duke parë se vitin e kaluar emri Muhamed është rritur me 12 për qind, krahasuar me 2005-ën, është parashikuar se vitin e ardhshëm do t‘ia kalojë edhe atij Xhek, duke u bërë absolutisht emri i parë për fëmijët e këtij shteti.



Tamam si një makinë që ecën me shpejtësi të madhe në një rrugë bosh, ashtu edhe emri Muhamed po "fluturon" me shpejtësi drejt "rrugës së lirë" për të arritur në krye të të gjithë emrave.



Mund të duket një statistikë zhgënjyese: myslimanët britanikë janë vetëm një milion e gjysmë (dy milionë duke llogaritur banorët ilegalë ose të përkohshëm), ndërsa e gjithë popullsia e Mbretërisë së Bashkuar numëron 60 milionë banorë. Po si është e mundur që mbizotëron më shumë emri Muhamed se Xhek, apo Tomas?



Shpjegimi është i dyfishtë. Nga njëra anë, prindërit pasues të vendeve të tjera, apo ato laike, zgjedhin pa dyshim mes shumë emrave, ata që u shkojnë më shumë të vegjëlve të tyre, ndërsa prindërit që vijnë nga vendet myslimane zgjedhin emrin Muhamed, me dëshirën e madhe që t‘i thërrasin fëmijët e tyre me emrin e Profetit të Islamit. Kështu, duke qenë se janë një pakicë etnike në Britaninë e Madhe, duke i përqendruar preferencat e tyre tek emri Muhamed, përfitojnë (ose momentalisht të dytin) vendin e parë në klasifikimin e emrave.



Zakonisht, myslimanët marrin dy emra pas lindjes. I pari Muhamed, që është homazhi ndaj Profetit dhe i dyti është emri që do të përdoret në familje për të thirrur fëmijën. Një arsye e dytë për mbizotërimin e Muhamedëve është se myslimanët janë më të shumtë në numër se sa kristianët, hebrenjtë dhe ateistët. Në Mbretërinë e Bashkuar, myslimanët kanë një mesatare lindjeje tri herë më të lartë se popullsia jo myslimane. Me pak fjalë, popullsia myslimane dominon në numrin e lindjeve, që do të thotë edhe pse janë të paktë në numër, në shtëpitë e tyre lindin më shumë fëmijë.



Për sa i përket ndryshimit të drejtshqiptimit, varet nga transliterimi e tingëllimi i emrit Muhamed nga gjuha arabe në atë angleze. Një mysliman jo arab, shkruan te revista "Times", duke komentuar lajmin, se e shqipton emrin me "ed", pra Muhamed, ndërsa një mysliman arab, e shqipton në fund me "ad", duke shkruar Mohamad.



"Prindërit që i quajnë në këtë mënyrë fëmijët e tyre, besojnë se emri do të ketë ndonjë efekt në personalitetin e fëmijës dhe në karakteristikat e së ardhmes", pohon myftiu Abdul Barkatullah, një ish-imam i xhamisë Finchleyroad, një qendër radikalizmi islamike në verilindje të Londrës. "Duke iu vënë emrin Muhamed, fëmija do të bëhet i edukuar dhe i zoti. Edhe pse nuk e njohin historinë e Profetit dhe nuk janë besimtarë praktikantë, kanë dëshirë t‘ia besojnë fëmijën Muhamedit".



Përtej shpjegimeve konkrete, shpërndarja ka një domethënie simbolike: ajo nënvizon rritjen e komunitetit mysliman në Britaninë e Madhe, sinjalizon se ky është bërë vërtet një vend shumë kulturor, larg nga imazhi "Old England" (Anglisë së vjetër). Dikur emrat më të përdorur ishin ata të apostujve të krishterë si: Xhon, Petër dhe Pol, të cilët janë zhdukur nga klasifikimi i 20 emrave më të përdorur. Nga ana tjetër, edhe në Itali Muhamedi nuk është keq në klasifikim. Ai renditet i dyti menjëherë pas Françeskos, ndërsa pas tij vjen Xhulia dhe Sara. Janë këta emrat më të përdorur nga italianët dhe të huajt: fëmijë të lindur nga prindër italianë dhe fëmijë të lindur nga prindër të huaj. Dy lista që tregojnë histori dhe tradita të ndryshme, por që shpeshherë përzihen me njëra-tjetrën.



Në Itali emrat e gjinisë mashkullore më të përdorur janë: Françesko, Aleksandër Andrea, ndërsa për gjininë femërore: Xhulia, e cila qëndron edhe në krye të klasifikimit, vijon më pas Martina, Klara, Sara dhe Alesia. Duke shfletuar statistikat, duket se prindërit italianë i kanë braktisur emrat e vjetër dhe kërkojnë të përdorin ato të yjeve televizivë. Në klasifikimin e 30 emrave më të përhapur nuk ka emra të huaj.



Megjithatë, ekziston një listë paralele, ku gjenden edhe emrat Omar dhe Muhamed, Jusuf, Zakaria dhe Jasminë. Këta janë emrat e fëmijëve të çifteve të huaja që jetojnë në Itali, prindër të cilët kanë zgjedhur traditën e tyre. Mes fëmijëve të huaj, emri i parë në klasifikim është Omar (Omar), duke vijuar me Muhamed, Mateo dhe Alesio. Për vajzat, pesha e traditës është paksa më e lirë, ku emrat e parë në klasifikim janë Sara, Alesia dhe Xhulia, më pas vijnë Aja, Sabrina dhe Jasmina.



Mbiemrat



Në SHBA, pesë mbiemrat më të përhapur janë: Smith, Xhonson, Uilliams, Xhons, Braun; në Angli: Smith, Xhons, Uilliams, Tejlor, Braun; në Kinë: Li, Uang, Zhang, Liu, Çen, Jang; në Spanjë: Garcia, Fernandez, Gonzalez, Rodriguez, Lopez; në Gjermani: Muller, Shmid, Shnejder, Fisher, Mejer; në Francë: Martin



Bernard, Dubois, Tomas, Robert.







Somario



Myslimanët në Francë



9.6 për qind e rezidentëve, ose ndryshe 5.98 milionë e popullsisë





Popullsia



Franca ka një popullsisë prej 62.3 milionë banorësh, mes të cilëve njerëz të shumë kulturave të ndryshme







2 mijë





Janë çdo vit kërkesat për të ndryshuar emrin e pagëzimit, ku 90 për qind lidhen me kërkesën për të vendosur një emër francez











Muhamed



Emri Muhamed ka 16 versione në gjuhën angleze. Në fund të këtij viti mendohet se do të jetë emri më i përdorur në Angli





1 591 000



Njerëz të fesë myslimane jetojnë në Britaninë e Madhe





4 900 000



Rezidentët në Mbretërinë e Bashkuar që kanë lindur jashtë vendit, nga të cilët 569 800 në Indi. Ky është komuniteti i huaj me numrin më të madh