biznesNga dita e sotme, aksioni kundër informalitetit do të përqendrohet edhe tek bizneset e mëdha. Burime nga Ministria e Ekonomisë bëjnë të ditur se do të kalojë në sitë grupi i parë i kompanive të mëdha që do të auditohen.


Nga 780 kompanitë më të mëdha në vend janë përzgjedhur sipas modulit me bazë risku 50 prej tyre, raporton Monitor.


Ato i përkasin tre sektorëve, tregtisë me shumicë, ndërtimit dhe hidrocentraleve.


Sipas burimeve nga Ministria e Ekonomisë, është vlerësuar që 59% e riskut vjen nga bizneset e mëdha. Këto të fundit sjellin rreth 80% të të ardhurave në buxhet.


Aksioni kundër informalitetit është fokusuar në javët e para të tij te bizneset e vogla, duke parë dhe mbylljen e 20% të subjekteve të kontrolluara sipas deklarimeve në Komisionin e Ekonomisë nga Ministri i Financave. Kjo nënkupton se nga 36 mijë kontrolle, janë mbyllur 7200 biznese.


Ndërkohë, të dhënat e 8 mujorit, treguan se të ardhurat nga tatimet e doganat vijuan të ishin edhe poshtë planit të rishikuar në gusht nga ana e financave, me 1.8 miliardë lekë, apo 1.1% më pak se plani.


Financat kanë raportuar rritje me 33 miliardë lekë të xhiros së deklaruar, por mbetet për të parë të dhënat e shtatorit, se sa ky shtim deklarimi është përkthyer në rritje të të ardhurave në buxhet.