Historia

Historia e Bandës së Lushnjës i ka fillimet në vitin 1997. Organizata e Alfred Shkurtit, alias Aldo Bare, mbase nuk do të kishte ekzistuar, nëse ai, ish-shoqërues i ministrit të Brendshëm gjatë viteve 1988–1991, nuk do të ishte i pranishëm në vrasjen e vëllait të tij, Ramadan Shkurti, nga i “forti” i asaj kohe në zonën e Myzeqesë, Artur Daja. Vrasjet filluan me ekzekutimin e Genci Kasharit, Ramadan Shkurtit dhe Bardhyl Rabijës, duke vazhduar me ekzekutimin në sy të familjes të shqiptaro-maqedonasit Xhevat Demiri. Më pas vritet nga anëtarët e bandës shtetasi Nimet Zeneli. Gjatë kësaj kohe, banda ekzekuton edhe persona të tjerë, ndërsa qëllimin kryesor arrin ta përmbushë vetëm më 21 tetor 1998. Artur Daja vritet dhe më pas i pritet koka, e cila shfaqet në duart e anëtarëve të bandës në qendër të qytetit të Lushnjës.