• Krijohet Këshilli Kombëtar i Arsimit Parauniversitar. Ministri i Arsimit dhe Shkencës ishte i pranishëm dje në komisionin e Edukimit dhe Medias në Kuvend, për të folur mbi ndryshimin e bërë në ligj ku përcaktohet ngritja e kësaj strukture.

Këshilli Kombëtar i Arsimit Parauniversitar do të jetë një organ këshillimor, që do të mbështesë MASH-in dhe Këshillin e Ministrave për politikat e zhvillimit të arsimit parauniversitar. Ky këshill do të ndihmojë për hartimin e strategjive dhe programeve kombëtare për arsimin parauniversitar. Këshilli do të përbëhet nga 23 anëtarë, ministri i Arsimit dhe Shkencës kryetar, përfaqësues nga Drejtoritë Arsimore, Ministria e Financave, Ministria e Brendshme, e Punës, Ministria e Shëndetësisë, ajo e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, kryetari i Shoqatës së Bashkive, kryetari i Shoqatës së Komunave, kryetari i këshillave të qarqeve dhe 13 anëtarë të tjerë, ekspertë të zgjedhur me konkurrim publik. Oponenca konstruktive e anëtarëve të këshillit për problemet që ai trajton rrit objektivitetin dhe efektivitetin e vendimmarrjes, duke siguruar njëkohësisht vendimmarrjen e nevojshme për probleme zhvillimore strategjike. Krijimi i këtij këshilli mbështet përgatitjen dhe instalimin e vizioneve afatgjata në sistemin e arsimit parauniversitar, në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian dhe plotësimin e detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi i MSA-së. Deri tani rolin e këtij këshilli e kanë luajtur grupet e përhershme të punës të ngritur në MASH.