Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, ka deklaruar se Kosova kurrë nuk do të jetë shtet, sepse një gjë e tillë “nuk mund të ndodhë pa pajtimin e Serbisë”.


“E dimë se Serbia do t’i ekspozohet presionit të tmerrshëm për të pranuar Kosovën, por ne nuk do ta bëjmë kurrë”, ka thënë Nikolliq për gazetën “Jerusalem Post”, transmetojnë mediat serbe.


“Sigurisht se Bashkimi Evropian do të thotë se, po qe se njohim Kosovën, fëmijët tanë do të kenë të ardhme më të mirë. Por, ne nuk mund ta bëjmë një gjë të tillë. Nuk bëhet fjalë për nacionalizëm, as për urrejtje. Bëhet fjalë për dashurinë – dashurinë ndaj popullit tonë, ndaj vendit tonë”, ka thënë Nikolliq.


Duke iu referuar marrëveshjes së nënshkruar së fundmi midis Prishtinë dhe Beogradit, ai është shprehur:


“Jemi ballafaquar me dilemën: ose të jemi në konflikt të vazhdueshëm me shqiptarët, ose ta zgjidhim këtë çështje. Nuk kemi pasur shumë fuqi në duart tona. Kemi pasur argumente të mira dhe drejtësinë në anën tonë, por mediat ndërkombëtare mbështesin shqiptarët shumë hapur”./Indeksonline/