Pelegrinë në malin e Tomorit


BERAT- Nis pelegrinazhi i besimtarëve në malin e Tomorit. Dje ishte dita e parë e festës, por pritet që numri i pelegrinëve të kulmojë në ditën e tretë, ku besimtarët kryejnë edhe ritet e kurbanit. Në lartësinë e Kulmakut, në muajin gusht pritet të mbërrijnë mbi 20 mijë besimtarë nga vendi dhe jashtë tij, për t’iu bashkuar institucionit shpirtëror të moçëm të Baba Tomorit.


Karvanët e parë kanë filluar që dje, për të shkuar në vendin e shenjtë. Ndërkaq, në lëvizje që ditët e kësaj feste të shkojnë mbarë dhe pa ngjarje e aksidente, është vënë e gjithë Policia e qarkut të Beratit. “Drejtoria e Policisë e Qarkut Berat në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë Berat, Kuçovë Skrapar si dhe me Njësinë Rajonale të Policisë Rrugore Berat, në bazë të një plani të detajuar masash ‘Për Garantimin e Rendit dhe Rritjen e Sigurisë Publike’, ka marrë të gjitha masat me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, sigurimin e rendit dhe të sigurisë publike, lëvizjen e qarkullimit normal të mjeteve e këmbësorëve në rrugë, në zonat turistike, kontrollin e personave me precedentë kriminalë, si dhe kapjen e personave në kërkim policor.


Për këto veprime janë angazhuar 100 forca policore”, thuhej në njoftimin e Policisë së Beratit në lidhje me këtë festë, ku numri i pelegrinëve pritet të shkojë në dhjetëra-mijëra veta. Më i përqendruar ky shërbim do të jetë përgjatë akseve rrugore Poliçan – Çorovodë, Çorovodë – Gjerbes, në qendër të fshatit Gjerbës – Teqe e Kulmakut, Teqe e Kulmakut – Novaj, Novaj – Poliçan, e pika të tjera që do të vendosen, si dhe ne territorin ku zhvillohet aktiviteti i pelegrinazhit.


Mësohet se Policia ka marrë të gjitha masat edhe për përcaktimin e vendqëndrimeve të automjeteve të personaliteteve të larta shtetërore, të cilët do të marrin pjesë në festë ditët në vijim.