Një tjetër vlerësim i lartë ka ardhur për Presidentin, Bujar Nishani, këtë herë nga Bullgaria. Presidenti Rosen Plevneliev i ka akorduar Kreut të Shtetit medaljen”Stara Planina” të Gradës së Parë për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në forcimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve bullgaro-shqiptare. Presidenti Nishani është shprehur mirënjohës për këtë dekorate, por edhe për mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë për vendin tonë.


Me motivacionin për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në forcimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve bullgaro-shqiptare, Presidenti Bujar Nishani është dekoruar nga homologu bullgar Rosen Plevneliev me urdhrin më të lartë të Republikës së Bullgarisë “Stara Planina” të Gradës së Parë.


Gjatë ceremonisë së zhvilluar në Sofie, Kreu i Shtetit falenderoi Presidentin Plevneliev për vlerësimin dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Bullgarsisë ndaj Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.


Nishani: Ju falenderoj për vlerësimin dhe dua të shpreh mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Bullgaria i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, me bindjen se kjo mbështetje nuk do të mungojë edhe për hapjen e negociatave të aderimit në Bashkimin Evropian. Shqipëria është e gatshme për t’i zhvilluar e forcuar më tej marrëdhëniet miqësore e të bashkëpunimit me Bullgarinë, në dobi reciproke por edhe për të gjithë rajonin e Evropës Juglindore.


Kjo është medalja e dytë e këtij niveli për Presidentin Bujar Nishani.


Në vitin 2014, ai është vlerësuar nga homologu italian me medaljen e “Urdhrit të Meritës së Republikës Italiane, Kalorësit të Kryqit të Madh”.


Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter