rama veliajShqipëria dhe Italia duket se po ecin me hapa të shpejtë drejt një marrëveshjeje mes tyre për njohjen e kontributeve të pensioneve për emigrantët. Këtë javë, grupet teknike që janë ngarkuar nga shtetet respektive për të trajtuar dhe hartuar marrëveshjen e mbrojtjes sociale, nisën diskutimet teknike në Romë, ku edhe u ra dakord për vazhdimësinë e bisedimeve në këtij niveli.


Pala shqiptare, e kryesuar nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, dhe ajo italiane do të takohen sërish në korrik të këtij viti për të diskutuar më në detaje përmbajtjen e marrëveshjes dhe nisjen e negociatave zyrtare për njohjen e pensioneve.


Së fundi, Shqipëria ka nënshkruar një sërë marrëveshjes për njohjen e pensioneve të emigrantëve tanë. Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, pak javë më parë firmosi me homologun e tij rumun dhe maqedonas dy marrëveshje të rëndësishme për njohjen e pensioneve. Më herët, MMSR ka nënshkruar marrëveshje të ngjashme me Belgjikën, Luksemburgun, si dhe ka mbyllur negociatat me Kanadanë, ndërkohë është në proces mbylljeje edhe marrëveshja me Gjermaninë dhe Austrinë./j.h