Sipas të dhënave më të fundit nga Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës, bëhet e ditur se niveli këtij liqenit ka arritur në kuotat e 293.97 metra, nga 296 metra që është niveli kur edhe uji del jashtë digës. Niveli prej 293.97 metra është fare pranë pikës maksimale.

Sipas METE-s, prurjet në Fierzë janë 500 metra kub për sekondë. E njëjtë paraqitet situata edhe në liqenin e Komanit, ku niveli i ujit ka arritur në kuotën e 171,74 metra, ndërsa prurjet janë 130 metra kub në sekondë. Në liqenin e Vaut të Dejës, uji ka arritur në 75,07 metra.

Ministria e Energjetikës thekson se aktualisht nuk bëhen shkarkime, ndërkohë prodhimi i energjisë është në nivele maksimale, çka pritet të ulët dalëngadalë edhe nivelin e ujit në këto liqene. Aktualisht po prodhohet një sasi energjie prej ne 28,1 milionë kilovat/orë.

Një sasi prej 14.4 milionë kilovat/orë energji, shitet nga ana e Korporatës Energjetike Shqiptare, ndërsa konsumimi i energjisë në vend është 22,9 milionë kilovat/orë.