Një Asamble e lyrshme. Pa kartonë të kuq (kundër) e të verdhë (abstenime). Vetëm me jeshilë (pro). Kjo ishte panorama e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme të Federatës Shqiptarë të Futbollit, të zhvilluar në ambientet luksoze të Pallatit të Kongreseve (në pjesën e parë të saj edhe në praninë e presidentit të UEFA-s, Mishel Platini). I ftuari tjetër i veçantë ishte presidenti i Federatës të Futbollit të Kosovës, Fadil Vokri e dy ndihmësit e tij. Zyrtarët më të lartë të FSHF-së (përfshirë presidentin Duka) dhe përfaqësuesit e 54 klubeve të të gjitha niveleve të futbollit shqiptar (presidentë, donatorë, sekretarë klubesh, shefa zonash) ishin shumë miqësorë me njëri-tjetrin dhe shumë larg atyre “incidenteve” (apo keqpritjet ndaj ekipeve mike), që mediat raportojnë në prag, gjatë apo pas ndeshjeve. Për hir të së vërtetës, FSHF-ja është dalluar për organizim model të aktiviteteve të saj (kur në të është e pranishme edhe media), por kësaj radhe kishte edhe një argument më shumë. Prania e Platinisë ishte një bonus i madh për futbollin shqiptar. Hyrja e kontrolluar rreptësisht nga punonjësit e sigurisë, por për të zbukuruar atmosferën edhe katër vajza yje, “njëra më e bukur se tjetra”. Për secilin delegat nga një çantë e personalizuar me logon e sloganin e FSHF-së: “Mbaje topin pranë zemrës”. Gjithsesi, ndonjë pakënaqësi të vogël edhe pati. “Edhe këtu, - tha një përfaqësues i klubeve inferiore, - bëjnë dallime. Shiko, për delegatët nga Kategoria Superiore kanë vendosur edhe ujë të gazuar edhe ujë pa gaz, kurse për ne, të Kategorisë së Parë e të Dytë, vetëm ujë pa gaz. Të njëjtën kuotë anëtarësimi paguajmë dhe ne. S’ka kuptim ky diferencim”. Gjithsesi, ndonjë fërkim edhe pati në lidhje me ndarjen e fitimeve të FSHF-së. Kësaj radhe nga njëshi i Dinamos, Besnik Sulaj, i cili, edhe pse erdhi me vonesë (pas ikjes së Platinisë), u largua në mënyrë edhe demonstrative, duke lëshuar edhe ai batutën e tij, pas një replike në distancë me përfaqësuesin e Memaliajt të Kategorisë së Dytë. “Me kë diskutoj dhe unë! Me një klub që paguan vetëm 30 mijë lekë (të rinj) një lojtar, kur unë paguaj për më pak të paguarin nga 1 milion lekë (të rinj)”. Pushimi i parë i Asamblesë me pije joalkoolike, fanta, pepsi, amareta. Rezultati gjatë punimeve të saj: ngritje duarsh, miratim unanim. Ndonjë vërejtje e vogël e “Dajës” (Miço Papadhopullit), president nderi i FSHF-së. “Ç’punë i prish Armandos po të jem edhe unë në krah të tij në Komitetin Ekzekutiv?”. Duka: “Ne jemi dy të vetmit presidentë, të tjerët kanë vdekur. Por, kush të duron ty edhe për 40 vjet” (Miço është 76 vjeç, tani). Sekretari i FSHF-së, Bici: “Tani i japim fund Asamblesë, për çdo debat tjetër konstruktiv i vazhdojmë në sallën tjetër”. Verë e bardhë, e kuqe, birra. Sallata, sallameri, ëmbëlsira. Një katering për t’u pasur zili. “Hajt, shihemi pas një viti”.



Batutat



Në mbledhjet e asambleve të FSHF-së ato nuk kanë munguar kurrë. Qoftë edhe kur situatat kanë qenë të tensionuara. Tradicionalisht më hokatari ka qenë bosi i Besës, Nexhat Bizhdili.



Përfaqësuesi i Burrelit: “Zoti president, kam një shqetësim. Vendimet e Komitetit Ekzekutiv nuk na vijnë në klub”

Duka: “Si është e mundur? Ato ne i publikojmë në faqen e internetit, ua përcjellim mediave, të gjithëve”

Përfaqësuesi i Burrelit: “Ne nuk na vijnë me shkresë të protokolluar”

Duka, sekretarit të FSHF-së, Bici: “Ma shpjego si qëndron puna”

Bici, Dukës: “Hë, më... hë... etj.”

Kokona (zëdhënësi i shtypit): “President, po ato i publikojmë në faqen e internetit”

Përfaqësuesi i Burrelit: “Ne i duam me shkresë”

Xhat Bizhdili (presidenti i Besës): “Edhe ne nuk na vijnë”

Duka: “Si!? As me faks, apo me e-mail?”

Bizhdili: “Po nuk kemi drita”.

Të qeshura nga të gjithë: Hahaha

Arben Laze (presidenti i Elbasanit): “Në Asamblenë e para dy viteve na thatë se do ta na jepnit nga një kompjuter për çdo klub, por asgjë”.

Duka: “Vërejtja qëndron”

Bizhdili, Genc Tomorit të Partizanit: “Ky (Duka) është mjeshtër, mor vëlla, ta fut topin mes shalësh”

Vazhdon procedura për miratimin e dy anëtarëve të rinj në FSHF, Adriatikut të Mamurrasit dhe Luzi 2008 të Luzit të Vogël. Votim unanim dhe prezantimi i flamujve të secilit ekip. “Kuqezi” ai i Adriatikut. Radha e flamurit të Luzit.

Bizhdili: “Ky flamuri i Luzit si i LSI-së, mo president (Duka). Po nuk e ndryshove, - iu drejtua presidenti i Besës, atij të Luzit 2008, - mbete përjetë në kategorinë e dytë”.

Duka: “Si ta bëj mo Xhat: blu apo të kuq?”









13 Nentor 2008