Një vajzë me fustanin në ngjyrat e flamurit të Bashkimit Evropian do të jetë maskoti shqiptar për në Bashkimin Evropian. Modeli u përzgjodh në një konkurs kombëtar të organizuar nga Komisioni Evropian


 


Një vajzë e gëzuar me një fustan blu dhe një yll të madh të verdhë mbi krye është fatsjellësja shqiptare për në Bashkimin Evropian. Me rastin e Javës Evropiane 2008, që po zhvillohet këto ditë edhe në kryeqytet, u shpallën dje fituesit e Konkursit Kombëtar për dizenjimin e Maskotit të Bashkimit Evropian për fëmijët në Shqipëri. Mes një pafundësie krijimesh, ai që tërhoqi vëmendjen e organizatorëve (Delegacioni i Komisionit Evropian në Shqipëri) ishte pikërisht ai i 11- vjeçares Elsi Kodra. Është një vajzë e ndrojtur dhe ende nuk është e ndërgjegjshme që sapo ka fituar një çmim prej 4 mijë eurosh. ( Normale për moshën e saj). Në krye të sallës ku janë ekspozuar punët konkurrente është vendosur një çek i madh që mban emrin e saj. Ndjek klasën e shtatë (7 D) në Kolegjin Turk dhe e ka të vështirë të shpjegojë konceptin e punës së saj. "Kjo punë tregon se si do të jenë në të ardhmen fëmijët në Bashkimin Evropian", - thotë ajo teksa faqet i marrin një ngjyrë të purpurt. Maskoti i Elsit është një fëmijë që i përket Evropës, por që merr me vete edhe identitetin e vet kombëtar, që me sa duket paraqitet në çorapet dhe këpucët e kuqe të vajzës-maskot. Për ambasadorin e Komisionit Evropian në Tiranë, Helmuth Lohan, kjo vajzë e vogël me këtë kostum tregon përpjekjen për të hyrë në Bashkimin Evropian. "Është vazhdimisht në lëvizje, ndaj edhe u përzgjodh si fituese". Krahas çmimit të madh, nën tingujt e një kuarteti harqesh, u ndanë edhe dy të tjerë me nga një vlerë prej 500 eurosh. Çmimin e dytë, me një "airbuss evropian" e fitoi artisti Genc Përmeti. Aeroplani i Përmetit është blu me yje të verdhë dhe me një "bisht" të mbuluar me flamuj shtetesh të kontinentit të vjetër. Përshtatur për moshat e reja, aeroplani i Evropës i ngjan një zogu me sy të mëdhenj. Idesë së fitueses i afrohet edhe fituesi i çmimit të tretë. Që paraqet një kostum, gjithnjë në ngjyrën dhe yjet e flamurit të Bashkimit Evropian, duke i shtuar edhe një palë flokë blu, ku varen ca yje të verdhë. Jo më pak interesante paraqiteshin edhe punët e tjera të ekspozuara në galerinë e Fakultetit të Arteve Pamore (FAP) pranë Akademisë së Arteve. Interesante të shohësh se si fluturon fantazia e konkurrentëve, të cilët i përkisnin të gjitha moshave, që nga nxënësit e 9-vjeçareve, tek studentët e Akademisë, madje dhe artistët e afirmuar. Maskoti shqiptar mund të ishte një ari, një lepur, një miush i veshur në blu, apo një çift valltarësh të vegjël me kostume popullore shqiptare, madje dhe një vezë "pashkësh" në ngjyrë të verdhë. Sipas organizatorëve maskot – ideja fituese do të përdoret si simbol dhe karakter kryesor në të gjithë fushatën informuese dhe aktivitetet e Delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri, kushtuar fëmijëve dhe të rinjve. Qëllimi i kësaj nisme ishte tërheqja e vëmendjes së publikut dhe në veçanti të brezit të ri dhe femijëve për procesin e integrimit të Shqipërise drejt Bashkimit Evropian.


Maskoti përfaqëson një person, kafshë, apo objekt që mendohet se sjell fat. Zakonisht përfaqëson një grup të caktuar si një shkollë, skuadër sporti profesioniste, shoqata, bashkime ushtarake, apo edhe një markë prodhimesh tregtare.


Fjala maskot (mascot) është nxjerrë nga një përdorim dialektor i Provansës dhe Gaskonisë, në Francë, ku është përdorur për të përshkruar çdo gjë që sjell fat në një shtëpi. Fjala që rrjedh nga "masqu" e që do të thotë i maskuar, përdorej nga francezët për fëmijët e lindur me këmishë. Fjala nisi të popullarizohej në 1880, kur kompozitori francez Edmond Audran shkroi një operetë komike, të titulluar "La Mascotte". Kjo operetë u bë aq popullore saqë u përkthye në anglisht si "The mascot", duke nënkuptuar në anglisht një fjalë që përfaqëson çdo kafshë, person, apo objekt fatsjellës. Kjo fjalë me këtë përkufizim u përfshi në shumë gjuhë të tjera, ndonëse shpesh në formën franceze "mascotte".