aleksander kocaniALEKSANDËR KOCANI

Shoqëria shqiptare vazhdon edhe sot e kësaj dite të mbetet një shoqëri e "trazuar", me shumë probleme, e cila nuk po gjen stabilizim dhe orientim të qartë. Ndoshta për këtë arsye pohojnë se vendi ynë ende është në një proces të stërzgjatur të një tranzicioni ose post tranzicioni.

Mjaft studiues vënë theksin, jo pa të drejtë, në probleme të tilla madhore si korrupsioni, kriminalizimi i politikës, mungesa e eficiencës së Gjyqësorit në dhënien e drejtësisë dhe mosbesimi i theksuar i shoqërisë shqiptare ndaj Gjyqësorit, papunësia relativisht e lartë, varfëria në rritje e shtresave të gjera të popullsisë shqiptare, humbja e besimit te një pjesë e madhe e popullatës për mundësinë e një të ardhmeje në këtë vend etj. etj.


Mjalte Morava
Verde Watches

Sigurisht që këto probleme të ditës janë sa reale, aq edhe shqetësuese dhe angazhimi për të debatuar lidhur me rrugët e zgjidhjes së tyre është më se legjitim. Vetëm se jo rrallë harrohet që këto probleme kanë disa rrënjë të thella, që nuk para dalin në dukje dhe se pa u angazhuar në "shkuljen" e tyre, zor se mund të kihet sukses në zgjidhjen e problemeve në fjalë. Në këtë kuptim, mund të thuhet se ato përbëjnë, si të thuash, njëfarë "shkume të përditshmërisë", e cila të përfshin në tërësinë e saj dhe sikur të "zë pamjen" dhe nuk të lë të shikosh pikërisht "rrënjët e thella" të tyre, rrënjë që i mbajnë dhe i "ushqejnë" ato.

Le të marrim, për shembull, problemin e shumëpërfolur të korrupsionit. Mjaft është folur për të. Midis sugjerimeve për ta luftuar, ka edhe nga ato që janë racionale dhe të dobishme. Madje ndonjë, si për shembull, "qeverisja elektronike" (e-government), ka nisur edhe të zbatohet jo pa sukses.

* * *

Por, me të drejtë ekziston njëfarë pesimizmi lidhur me perspektivën e çrrënjosjes së korrupsionit me metoda të tilla të pjesshme. Me sa duket, është kryesisht intuita që nxit qëndrime të tilla skepticiste. Përtej kësaj intuite, analiza që pretendon të shkojë te rrënjët e kësaj dukurie negative, nxjerr në pah se ajo lind nga profilet vlerore të tipit "materialist" të aktorëve të ndryshëm socialë.

Janë pikërisht të ashtuquajturat "vlera materialiste" (ose, ndryshe, "të mbijetesës") ato që e orientojnë individin apo grupin shoqëror që të zgjedhë atë që dëshiron, që të vendos për qëndrimet dhe veprimet e veta duke u dhënë përparësi atyre që lidhen me interesin vetjak, qoftë edhe në kundërshtim me interesin publik.

Nëse do të ishte e mundur që të ndërhyhej në botën shpirtërore të këtyre aktorëve socialë për të zëvendësuar sistemin e vlerave "materialiste" me atë "post-materialiste" (ndryshe, "të vetafirmimit"), atëherë kjo do të ishte një rrugë e thjeshtë dhe e shpejtë si për "t'i shkulur rrënjët" dukurisë së korrupsionit, aq edhe për të dhënë zgjidhje të qëndrueshme për problemet e tjera madhore të vendit.

Mirëpo, na del se nuk është e mundur që të ndiqet kjo rrugë. Këtë përfundim e kemi nxjerrë mbas një studimi afro 10-vjeçar që synonte të hetonte mundësinë e ndikimit eksperimental në vlerat që përfshihen në botën shpirtërore të aktorëve social - politikë të qytetit të Tiranës. Fjala është për mbi 10 eksperimente që synonin drejtpërdrejtë të hetonin nëse aktori social-politik i këtij qyteti karakterizohej nga një profil vleror unitar, apo nuk kishte një profil të tillë.

Këtij synimi i shërbenin anketimet për të testuar suksesin e mundshëm të përpjekjeve për ndikim maksimal në korpusin e vlerave të botës shpirtërore të votuesve të kampionuar nga qyteti i Tiranës. Rezultati i këtyre eksperimenteve dëshmonte bindshëm se të gjitha tentativat tona dështuan në përpjekjet e tyre për të ndikuar subjektivisht (me bindje) në ndryshimin e vlerave, qofshin ato që i përkasin, sipas studiuesit Ronald Inglehart, dimensionit "materialist vs post-materialist", apo ato të dimensionit "tradicional vs racional-shekullar".

* * *

Nga ana tjetër, matjet sociometrike të profilit vleror të elektoratit të qytetit të Tiranës, nga viti 1998 deri në vitin 2015, tregojnë se ka një tendencë në rritje të forcimit të profilit vleror "materialist", që përbën një lajm shumë të keq për shoqërinë aktuale shqiptare.

Në konsideratë janë marrë të dhënat që japin vlerat për 20 indikatorë të sistemit vleror materialist vs post-materialist të dy brezave që në vitin 1998 u takonin përkatësisht grup moshave 18-25 vjeç dhe 26-35 vjeç dhe janë krahasuar ato për të njëjtat breza, por mbasi kanë kaluar 10 vite (në total - 40 tregues). Me një fjalë, janë krahasuar këto indikatorë për grupmoshën 18-25 vjeç të vitit 1998 me ato të grupmoshës 26-35 vjeç të vitit 2008.

Dhe indikatorët e grupmoshës 26-35 vjeç të vitit 1998 me ato të grupmoshës 36-45 vjeç të vitit 2008. Del se për këta dy breza, gjatë një 10- vjeçari (1998 - 2008), vlerat e indikatorëve që tregojnë profil materialist janë rritur 1.5 herë më shumë se ato që tregojnë profil post-materialist.

Pra, gjatë periudhës 1998 - 2008 është forcuar profili vleror materialist. Nga ana tjetër, vlerat e këtyre indikatorëve për të njëjtat breza (grupmosha) kur kalohet nga anketimi i vitit 2004 në atë të 2014-s, pësojnë një rritje prej 2,33 herë në kahen e vlerave të sistemit materialist. Kështu që del se në dallim nga 10-vjeçari 1998-2008, në 10-vjeçarin 2004-2014 kemi një rritje më të madhe të tendencës drejt vlerave materialiste. Më konkretisht, në vitin 2014 kjo tendencë është 1.55 herë më e fortë sesa në vitin 2008.

Në vitin 2015, anketimet u zhvilluan në drejtim të matjes së dinamikës së sjelljes votuese të elektoratit të qytetit të Tiranës. Kështu që në to kishte shumë pak pyetje që lidheshin me vlerat në dimensionin materialist vs postmaterialist. Ishin vetëm tri pyetje të tilla:

1) Lidhur me kënaqësinë që ndjenin nga jeta që bënin tani;

2) Sa mund t'i besohet "Tjetrit" (të panjohur); dhe

3) Shkalla e lumturisë që ndjenin respondentët. Nëse krahasojmë përgjigjet e pyetjes së parë të anketimit të 2015-s me ato të vitit 2014, shohim se ka një rritje të pakënaqësisë nga jeta që bëjnë me 4.56 herë, që do të thotë forcim të tendencës drejt vlerave materialiste.

Krahasimi i njëjtë për përgjigjet ndaj pyetjes së dytë sjell një rritje të mosbesimit ndaj tjetrit me 3.13 herë, që do të thotë forcim i profilit vleror materialist kur kalohet nga 2014-a në 2015-n. Ndërsa krahasimi i përgjigjeve ndaj pyetjes së tretë tregon se kur kalohet nga 2014-a në 2015-n, shkalla e lumturisë që ndjejnë respondentët (personat që janë anketuar) ka rënë në mbi 2 herë, që do të thotë se prapë kemi një tregues të forcimit të profilit vleror materialist.

Kështu që kur kalohet nga viti 2008 në vitin 2014, kemi një forcim prej 1.55 herë të treguesve të profilit vleror materialist. Kurse kalohet nga viti 2014 në atë 2015, forcimi i këtyre treguesve është (mesatarisht) në mbi 3 herë (3.24 herë).

Mjafton edhe kaq për të pohuar se ka dëshmi të mjaftueshme raportesh që tregojnë se tendenca drejt vlerave të sistemit (profilit) materialist sa vjen e po forcohet. Dhe kjo dukuri është tepër negative për të tashmen, por sidomos për të ardhmen e vendit tonë.

Më lartë treguam se eksperimentet mbi 10-vjeçare dëshmojnë pamundësinë për të ndikuar relativisht shpejt në mënyrë subjektive (me bindje, me propagandë, me edukim) për frenimin e kësaj tendence negative. Atëherë mbeten vetëm rrugët e ndikimit të mundshëm me anë të faktorëve ekonomikë, politikë etj., domethënë, objektivë.

Në këtë kuadër, kam propozuar disa muaj më parë në një artikull të botuar te gazeta "Panorama", që të debatohet mbi rrugët që duhen ndjekur për të frenuar këtë tendencë shumë të rrezikshme të shoqërisë së sotme shqiptare drejt forcimit të profilit të saj vleror materialist.

Propozimi im ka qenë dhe mbetet (pa i mbyllur rrugën asnjë propozimi tjetër!) që të debatohet lidhur me ndjekjen e rrugës për të synuar një rritje ekonomike të shpejtuar, me që studiues si Inglehart dhe Baker theksojnë, mbi bazën e analizës së një numri relativisht të madh anketimesh për sistemin vleror të kryera në shumë vende të botës, se zhvillimet ekonomike ndikojnë ndjeshëm në ndryshimet kulturore (ku hyjnë edhe vlerat).

* * *

Me sa duket, e ribëj thirrjen time për këtë debat në motivimin që latinët e cilësonin "thuaje dhe shpëto shpirtin tënd", sepse personalisht nuk kam më shpresë që të ketë reagim nga qarqet akademike për të nisur një debat të tillë, ndonëse kam dhënë aq informacion teknik që ta bëjë të besueshëm shqetësimin që unë ngre.