Qytetarët ankohen: Autobusët shkelin rregulloren, i fundit ikën në orën 22:30

Shpresa Mezini

Problemet në transportin urban në kryeqytet duket se nuk do të marrin fund ndonjëherë. Këtë e vërteton jo vetëm pamja e tmerrshme e linjës Kombinat-Kinostudio, e vetmja linjë shtetërore, por edhe ato private, si Unaza apo Tirana e Re, të cilat ndonëse me një fytyrë simpatike nga jashtë e brenda, kanë mangësi të panumërta. Gjendja e mjeruar që ka mbërthyer linjën Kombinat-Kinostudio sa vjen e merr pamje edhe më të frikshme.

Autobusët e kësaj linje janë kthyer në një makth të vërtetë për qytetarët, ndonëse një nga të gjatat e më të frekuentuarat në kryeqytet. Në një periudhë kohe përgjatë kësaj linje operonin edhe furgonët privatë, të cilët ndonëse kishin kosto më të lartë, ofronin shërbim më cilësor për udhëtarët, por duke qenë se ato janë eliminuar, halli i madh i bën qytetarët të hipin në to.

Nëse banon në Kombinat, në qendër, te 9-katëshet apo më tej, për të hipur në një autobus të duhet të presësh të paktën 20 minuta, pa përmendur minutat e tëra të qëndrimit në çdo stacion. Personat që presin hera-herës në radhë, shpesh në grumbull në stacion, janë të shumtë. Ka raste kur ata duhet të presin 2-3 autobusë për tiu dhënë mundësia të hipin në këtë mjet transporti, ku tubat mbajtës prej hekuri janë të ndryshkur, të dalë nga vendi, ndonëse shërbejnë për të ruajtur ekuilibrin gjatë udhëtimit, për shkak se shoferi e nget autobusin sikur të ishte i vetëm, jo me 20 apo më shumë persona brenda.

33394_405917514818_7649322_n 29090_387646154818_5850081_n 4229_86372089818_2690676_n

Karriget janë njëkohësisht të vjetruara, totalisht jashtë funksionit, shpesh pa mbajtësen e poshtme që shërben për tu ulur, por të zbukuruara me gozhda të madhësive dhe mprehtësive të ndryshme. Rrallë ndonjë fatlum mund të ulet i qetë dhe të shijojë udhëtimin mes një arome të pakëndshme, për shkak të mungesës së aspirimit. Dyert e autobusit janë një tjetër element që të tërheqin vëmendjen në linjën Kombinat-Kinostudio, ato janë me dhe pa xhama, sipas dëshirës, në më të shumtën e rasteve qëndrojnë të hapura, mezi mbyllen, duke rrezikuar jetën e qytetarëve që ndodhen pranë tyre në këmbë, për shkak se mjeti është i tejmbushur. Xhamat e dritareve janë të plasaritura, të thyera, çka krijojnë mundësinë që brenda të hyjë shiu, era, apo edhe i ftohti i acartë në ditët e dimrit. Dyshemetë e autobusëve, në pjesën më të madhe të rasteve, janë arnuar me kompensata, duke përbërë rrezik shumë të madh për qytetarët, që hipin në autobusët e linjës Kombinat-Kinostudio.

Por nuk mbaron me kaq. Gjatë gjithë udhëtimit, veshët e tu shoqërohen nga një melodi e çuditshme, aq e frikshme saqë të krijon përshtypjen se po udhëton në një traktor, jo në autobus.

E përballë kësaj situate, ku mjerimi nuk përshkruhet dot me fjalë, qytetarët pohojnë se arsyeja e vetme se pse e përdorin këtë linjë është pamundësia për të pasur një mjet privat.

Nuk kemi ku të shkojmë. Makina personale skemi. Para për taksi skemi, jam e detyruar të përdor këta autobusë, pasi punoj kameriere në një lokal te 9-katëshet, ndërsa shtëpinë e kam në Kombinat. Si tia bëj tjetër për të mbërritur në shtëpi? Është gjithë ajo rrugë. E mbyll punën në mes të natës, nuk eci dot vetëm në orët e vona, tha Sadetja, qytetare.

Oraret

Një nga problemet më madhore, sipas qytetarëve, është mosrespektimi i orareve nga autobusët e linjave të ndryshme, qoftë shtetërore apo private. Situata paraqitet më shqetësuese në autobusët e linjës së Unazës, ku shoferët qëndrojnë për minuta të tëra në pritje që mjeti të mbushet, duke shkelur rregulloren në mënyrë flagrante. Duke iu referuar rregullores, autobusët e kësaj linje e kanë të shkruar që të paraqiten në stacion, çdo pesë minuta, ndonëse ky orar nuk respektohet. Kjo ndodh sidomos në orët e vona të natës, kur qytetarët duhet të presin edhe më shumë se 10 minuta në stacion. Një tjetër problem, për autobusët e kësaj linje, por jo vetëm, është edhe mosrespektimi i orarit në orët e natës. Kjo, sepse sipas urdhrit të Bashkisë së Tiranës, transporti urban duhet të operojë deri në orën 23:00, ndërkohë që ky afat nuk zbatohet, sepse në kryeqytet, autobusi i fundit është në 22:30 minuta, për të mos folur edhe për linja të tjera, siç është ajo e Sanatoriumit, e cila mbyllet që në orën 20:30.

Xhepistët

Mosrespektimi i orareve nga ana e autobusëve, nxit qytetarët të shtyhen për të hipur në autobusë dhe të ngjiten njëri pas tjetrit. Kështu, në kushtet kur qytetarët rrinë ngjeshur me njëri-tjetrin, xhepistët e kanë më të lehtë të hapin çantat apo të vjedhin portofolat në xhepat e pasmë. Ky fenomen është më shumë i prekshëm në linjën e Unazës dhe atë të Kombinat-Kinostudios. Në të dyja këto linja, xhepistët shfrytëzojnë numrin e madh të qytetarëve që përdorin këtë linjë për të marrë gjithçka munden prej tyre. E megjithatë, ndonëse tashmë të gjithë arrijnë ti identifikojnë xhepistët, askush nuk merr masa për ta parandaluar këtë fenomen. Madje, në shumë raste, qytetarët pohojnë se janë vetë fatorinot dhe shoferët, që bëhen pjesë e skemës së tyre të vjedhjes.

Për të marrë një autobus në linjën kombinat-kinostudio duhet të presësh të paktën 20 minuta në stacion

Karriget janë pa mbajtësen e poshtme, të zbukuruara me gozhda të madhësive dhe mprehtësive të ndryshme

Fenomeni: Në kushtet kur qytetarët rrinë ngjeshur me njëri-tjetrin, xhepistët e kanë më të lehtë të hapin çantat apo të vjedhin portofolat në xhepat e pasmë

Rregullorja: Duke iu referuar rregullores, autobusët e kësaj linje e kanë të shkruar që të paraqiten në stacion, çdo pesë minuta, ndonëse ky orar nuk respektohet

Oraret: Transporti urban duhet të operojë deri në orën 23:00, ndërkohë që ky afat nuk zbatohet, sepse në kryeqytet, autobusi i fundit është në 22:30 minuta

Kushtet: Xhamat e dritareve janë të plasaritura, të thyera, çka krijojnë mundësinë që brenda të hyjë shiu, era, apo edhe i ftohti i acartë në ditët e dimrit. Dyshemetë e autobusëve, në pjesën më të madhe të rasteve, janë arnuar me kompensata, duke përbërë rrezik shumë të madh për qytetarët, që hipin në autobusët e linjës Kombinat-Kinostudio

Një udhëtim në linjën torturuese Kombinat-Kinostudio burimi: Gazeta S H