Nga Express më 06 maj 2011 në ora 11:43

Malmo po vazhdon negociatat me Agon Mehmetin për vazhdimin e kontratës. Mirëpo, sulmuesi kosovar ka bërë të ditur se dëshiron të presë derisa të emërohet trajneri i ri, për të vendosur më pas nëse do ta rinovojë kontratën apo jo.



“Kjo nuk do të ndikojë 100 për qind, por duhet ta kuptoj se kush do të jetë trajneri para se të vendos. Por, kjo gjë nuk po më sillet shumë në mendje, pasi nuk e kam bërë muhabet me bordin ose me drejtorin sportiv Per Agren”, tha Mehmeti për ueb faqen suedeze fotbollskanalen.se.



Ai ka shtuar se nuk di shumë për Stuart Baxter, i cili është veçuar si opsion primar. Gjë më e rëndësishme për të është që trajneri i ri të adaptohet në Malmo.



“Gjëja më e rëndësishme për klubin është që ta sjellë dikë që i përshtatet filozofisë sonë. Jemi një ekip kompakt, që shfaq futboll të shpejtë dhe kreativ. Trajneri i ri, që do të zgjidhet, duhet ta dijë këtë. Personalisht ndiej se jam përmirësuar dhe zhvilluar, kështu që unë do t’ia shfaq atij se duhet të më ketë parasysh si lojtar”, përfundoi Mehmeti.



21 vjeçari nuk ka vendosur ende nëse do ta vazhdojë kontratën, por udhëheqësit e Malmos janë optimistë për këtë fakt. Në ndeshjen e fundit kampionale, Mehmetin e ndoqën rreth 20 menaxherë nga klube të ndryshme evropiane.