Për herë të parë vizitoi Shqipërine nobelisti turk Orhan Pamuk, i njohur jo vetëm përmes romanit “Une jam e kuqja” që e bëri atë fitues të çmimit Nobel, por edhe prej shkrimeve të tij për Shqipërinë.

Në orët e paradites së hënë Orhan Pamuk u prit nga Presidenti i Republikës Bamir Topi, takim që u pasua nga një pritje e ngrohtë nga kryeministri Berisha. Ndërsa në një ceremoni të organizuar në Universitetin e Tiranës dhe në prani të shumë personaliteteve, shkrimtari turk Orhan Pamuk u nderua me titullin “Honoris Causa”.

Gjatë kësaj ceremonie Pamuk u shpreh i emocionuar se ndihej entuziast që më në fund po viziton Shqipërine, ku ka planifikuar të promovojë edhe veprën e tij më të re, autobiografinë me titullin “Stambolli”.

“Të gjithë librat e mi janë shkruar me energjinë dhe ndjenjën e revoltës se pse në vendin tim nuk lëviz asgjë dhe aty gjendet akuza ime se pse ne kemi qenë larg Europës dhe pse sot jemi jashtë saj? Kjo më nervozonte, por edhe më mbyllte në vetvete për të kërkuar aty diçka për të shkruar. Kjo është ajo që mendoj se më afron me historinë dhe kulturën e Shqipërisë. Por sa më shumë e ndjejmë veten larg qendrës, aq më shumë afrohemi tek vetja. Libri “Stambolli” është në fakt një autobiografi e imja deri në moshën 23 vjeçare duke rrëfyer se si ndikon qyteti në qënien tonë. Letërsia është art i tillë që kur shkrimtari flet për vete, lexuesi duhet ta mendojë se ai flet për të tjerët. Tek “Stambolli” unë flas për veten time, por në fakt flas per qytetin dhe njerëzit”, deklaroi shkrimtari turk.

Nobelisti Pamuk do të vijojë vizitën e tij sot në qytetin muze të Beratit. Orhan Pamuk u bë i famshëm në vitin 2006 me veprën “Une jam e kuqja” ndërsa karriera e tij si shkrimtar ka njohur vetëm rritje në vitet në vazhdim.