Ndeshja miqësore kundër Andorrës ende nuk dihet se ku do të luhet. Deri dje ishte njoftuar se takimi do të zhvillohej në stadiumin e Durrësit, por për shkak të punimeve (është vonuar procesi i sistemit të ndriçimit) që ende nuk kanë përfunduar, takimi mund të luhet në Tiranë më 2 qershor. Nuk ka asnjë njoftim nga Federata Shqiptare e Futbollit, sa i përket vendit dhe orarit të ndeshjes. Nuk ka asnjë informacion as sa u përket gjyqtarëve që do të arbitrojnë këtë takim. Zyrtarët e institucionit të futbollit refuzojnë të japin shpjegime edhe për lojtarët që do të jenë të grumbulluar për këtë takim, pasi dihet që një pjesë e senatorëve të ekipit do të largohen me pushime. Ubesajti i FSHF-së nuk funksionon prej më shumë se 15 ditësh, ndërsa zyra e shtypit ka ndërprerë të gjitha kontaktet me median. Nuk ka ndodhur asnjëherë më parë një amulli e tillë në radhët e ekipit përfaqësues. Keqmenaxhimi nga ana e sektorit të ekipit kombëtar ka arritur kulmin, ndërkohë që burime jozyrtare pohojnë se skuadra do të jetë pushim deri të premten, pasi Kuzhe ka vendosur që t’i lërë të lirë futbollistët. është hera e parë në vitet e fundit që një javë para ndeshjes tifozët të mos dinë se ku do të luajë përfaqësuesja e tyre dhe në çfarë orari do të zhvillohet ndeshja.