Mirela Kumbaro 

 Dëgjova se po gëlon puna  për hartimin e listave të kandidatëve. Të gjithë janë sulur, ulur e bëjnë hesape. Krerët e partive këqyrin sjelljet e ithtarëve të tyre e ithtarët ndjekin hijen e kokërdhokëve të shefave. Tregtia e deshve…, më falni, e kandidatëve desha të thosha, ka filluar rëndshëm. Bëhen e zhbëhen lista. 70% burra e 30% gra. Pa, ç’pa parlamenti dhe politika e meqë s’nxorën gjë në dritë në këto njëzet vjet, meqë nuk i shpëtuan dot femrat e vrara nga bashkëshortët, të përdhunuara nga komshinjtë, të trafikuara nga kushërinjtë, të keqtrajtuara nga bijtë, të ngacmuara nga shefat e ministrat, të hedhura në erë nga gërdecat, kopjuan modelin frustrues të kuotave në politikë.

Nuk është se kam për qëllim ta hedh poshtë. Pas një kohe sasia do të prodhojë ndoshta cilësi, megjithëse nuk duket të ketë ndonjë efekt shumë të madh as në vendet perëndimore, ku kuotat aplikohen me ligj prej vitesh. E megjithatë në vendet në zhvillim, përfshi këtu edhe shumë vende të Afrikës po kopjohet ky model në kushtet kur «barazia gjinore» bëhet e pamundur në realitet. Njësoj si Graal–i, «barazia gjinore» është kthyer në një objekt mitik dhe të paarritshëm. Nëse ligjet sot në Shqipëri, jo vetëm nuk janë diskriminuese për femrat, por, madje, edhe përpiqen ta parandalojnë këtë diskriminim, «barazia» e vërtetë nuk realizohet dot. Ligjet tona, me të cilat lëmë pa mend edhe vetë ambasadorin amerikan, nuk arrijnë të ndryshojnë mentalitetet diskriminuese që aq shumë janë të pranishme në botën e punës e të punësimit, të politikës e të politikave, në shoqërinë e vogël të familjes e në atë të madhe shqiptare, në skenën e promovimit e të mirënjohjes.

Nuk kam aspak qëllim të kundërshtoj koleget e mia që i mbrojnë fort kuotat me argumentin se në një shoqëri si Shqipëria duhen mekanizma detyrues që gjërat të lëvizin. Pikërisht këtu fillon shqetësimi im. Sepse faktorët kryesorë që frenojnë pjesëmarrjen aktive të femrës në vendimmarrje nuk janë ligjorë, por përcaktueshmërisht kulturorë dhe socialë. Si dhe në shumë shoqëri të tjera tradicionale, femrat që kanë ambicie për të ngjitur shkallët e pushtetit, që e ndjejnë veten të aftë për t’u përballur me sfidat profesionale ose politike, shihen keq, paragjykohen pikërisht se guxojnë të futen në një arenë të dominuar nga meshkuj, ku përdoren të gjitha mjetet, që nga ato represive si korrupsioni, dhuna, kërcënimi, deri te intrigat e kompromiset më të ndyra, të cilat, qoftë edhe për paragjykim, janë të papajtueshme me natyrën femërore.

Nga ana tjetër, publiku është edukuar në një mjedis që a priori beson se meshkujt janë udhëheqës më të zotë se sa femrat. Pikërisht ky publik bëhet për pasojë më intolerant me këto të fundit ose në rastin më të mirë i mëshiron si qenie të dobëta. E nuk është për t’u çuditur pastaj që femrat, prej natyre më të kujdesshme për të ruajtur dinjitetin e tyre, nuk tërhiqen nga kjo politikë që e ndjejnë armike dhe agresive.
Në këtë kontekst rreziku, për hir të tridhjetë përqindëshit, i mbushjes së radhëve thjesht me gra të cilat nuk do të kalojnë provën e përballjes me elektoratin si koleget e tyre të 2005, bëhet i frikshëm, siç është jo rrallë i frikshëm profili i një pjese jo të vogël deputetësh që as hije nuk arrijnë të lëshojnë në sallën e parlamentit një mandat të tërë.

Personalisht më krijon një shije shumë të keqe kjo puna e kuotave të grave, që më kujton çajin e mëngjesit në zbor, ku të fusnin me zor një lugë gjelle me reçel sa për të thënë që e kishin realizuar dozën e nevojshme të karbohidrateve që duhet të merrnim për të mbajtur gjithë ditën kallashin në sup.
Por në fund të fundit, krerët e partive ua shitën kuotizimin për sukses organizatave partiake grarishte nëpër konferenca me shumë kamera televizive dhe një tufë me gra që dalldisen nga duarprekjet e udhëheqësve. Pastaj OJQ–të e grave, meqë nuk zunë ndonjë pulë, e ndanë mendjen të kënaqen me këtë sorrën e ambalazhuar në qese evropiane. Dëgjuam dhe talk-show–et ku u ftuan dy gra që e mbrojtën, dy politikane që e votuan dhe dy tipa që bëjnë zhurmë si puna ime, duke rrahur ujë në havan kundër hipokrizisë. Por e gjitha u quajt e kryer më së miri. Edhe vetë ambasadori amerikan ishte dakord! Ç’duam më!
Filmi mbaroi, tani jemi në jetë!

Pas filmit ndërrova stacion për të ndjekur debatin politik të radhës. Tema: Të rinjtë në politikë. Të rinjtë njësoj si gratë. Dolën vetëm për të dalë në mbrojtje të ethshme të udhëheqësit përkatës. Një garë e paparë klithjesh prej zëdhënësish e zëpërcjellësesh, zyrtarë e vullnetarë. Ç’të bën kjo puna e tellallit! Ta bën fytyrën këpucë (duke respektuar të drejtën e autorit të kësaj shprehjeje)!

Nuk e fsheh kuriozitetin e sinqertë dhe dëshirën për ndryshim që kisha për të dëgjuar zëra të rinj e zëra femërorë. Më dhembi që skena më rezultoi njëlloj si parlamenti, ku u bënë lëmsh përqindjet e mpakura nga zhurma, mosha e internetit që iku pa u parë, medaljet e arit varur nëpër mure, historitë me gjyshe e me foto nudo… Një luftë e vërtetë gjelash që pronarët i shihnin përtej ringut të ekranit.
Morëm paralajmërime se ka rrezik të mos ndryshojë asgjë nga tabloja e sotme politike, me gjithë tridhjetë përqindëshin e grave dhe fytyrat e të rinjve, kur aty u pranua me zë të lartë se politika qenka një gënjeshtër e madhe, një mejhane ku ti shahesh me libër shpie, ku ti humbet ligjëratën tënde, ndërsa zërin tënd ia jep borxh fjalëve të shefit. I vetmi moment i vërtetë ishte mirëseardhja në këtë klub politik që i riu i PD-së i bëri të resë së PS–së. Edhe atij i doli padashje, por fajin e ka Freud–i!
Dhe në fund «tridhjetë përqindëshat» falënderojnë krerët për zemërgjerësinë e tyre që u hapën dyert e u ndriçojnë rrugën. Ky është mjerim i emancipimit. Gratë e ardhura në politikë si luga e reçelit në gavetën e çajit nuk i bëjnë punë shoqërisë. Prania femërore e kryesisë parlamentare ishte shembulli më i mirë për të treguar se emancipimi në vendimmarrje nuk është çështje gjinore, por çështje inteligjence dhe kulture. Kur këto dy elementë do të arrijnë të luajnë role të rëndësishëm në skenën e shoqërisë shqiptare, atëherë le t’i kthehemi dhe një herë kësaj punës së kuotave.
Deri atëherë: O burra gjeni gra që të kapim kuotat!