Presidenti amerikan, Barack Obama, e ka fajësuar sot Rusinë për konfliktin në mes të ushtrisë ukrainase dhe forcave separatiste pro ruse në lindje të Ukrainës.
Ai ka paralajmëruar që SHBA do të marrë në konsideratë opsionet shtesë me qëllim që të rritet presioni ndaj Moskës.
“Do të vazhdojmë me metodën të cilin e kemi shfrytëzuar në të kaluarën, që do të thotë presion në rritje ndaj Rusisë”, ka thënë Obama në konferencën me gazetarë gjatë qëndrimit në Neë Delhi të Indisë.
Obama më tej ka shtuar se ai “do e marrë në konsideratë çdo opsion që e kam në dispozicion, me përjashtim të një konflikti të armatosur, dhe të bëjmë përpjekje ta zgjidhim këtë çështje”, raporton Reuters, transmeton Indeksonline.
Presidenti amerikan ka thënë se SHBA-të janë thellësisht të shqetësuara për sulmet e reja të forcave pro ruse në Ukrainë, sulme këto që kryhen me “përkrahjen ruse, pajisjet ruse, financat ruse, ushtrinë ruse dhe stërvitjet ruse”.
“Kam qenë shumë i qartë që nuk e kemi qëllim të përfshihemi në konflikt të armatosur me Rusinë rreth kësaj çështjeje. Mirëpo, ajo që ne mund ta bëjmë është të vazhdojmë kapacitetet mbështetëse për Ukrainën që ky shtet të kontrolloj territorin e saj”, ka vlerësuar Obama. /Indeksonline/