SHKRUAN: Ilda Lumani 21-05-2011 15:54

Ajo është një nga aktoret e reja më të suksesshme të teatrit shqiptar! E preferuara e mjaft regjisorëve, ajo ka fituar role një pas një, duke u bërë një nga personazhet më të njohur për artdashësit. Përveç profesionalizmit, ajo ka spikatur edhe për bukurinë që ka. Këto karakteristika e kanë bërë Olta Gixharin të identifikohet lehtësisht mes brezit të saj. E pse jo, të ishte pjesë edhe e yjeve të spektaklit “Dancing with the stars-Albania”. Pa pikë mëdyshje, performancat e saj si balerinë kanë shënuar suksesin e radhës për të, dhe e kanë bërë atë një nga kandidaturat më të forta, për të pretenduar çmimin e parë të këtij spektakli, një makinë Jaguar. Sot në këtë intervistë për gazetën “Mapo”, Olta rrëfen se sa shumë e dëshiron çmimin e parë dhe ndërkaq tregon rreth marrëdhënieve me regjisoren Vera Grabocka, apo edhe me producenten Holta Dulaku. Por ama, nuk pranon që mes saj dhe ish-konkurrentit Olsi Mingomataj të ketë një histori dashurie. Gjithçka ajo e pohon si një miqësi, pavarësisht faktit se në profilin e Olsit në Facebook, qëndron pikërisht fotoja e çiftit!


Olta, si po shkon eksperienca në Dancing?


Shumë mirë, po lodhemi, po punojmë shumë. Tani javët sa vijnë dhe afrohen e bëhen edhe më intensive. Ankthi shtohet, puna gjithashtu, sepse edhe kërcimet shtohen. Këtë të enjte do të kemi dy kërcime, ashtu sikurse edhe këtë të enjte që lamë pas.


Është thënë që ju keni studiuar për balet. Ju ka ndihmuar eksperienca që keni pasur?


Jo, nuk kam studiuar për balet. Kur kam qenë në tetë vjeçare kam bërë kurse baleti për valle popullore, gjë që nuk ka lidhje fare me baletin dhe kërcimet që bëjmë tani.


Këtë të enjte folët edhe për pengjet tuaja. Sa e ëndërron Jaguar-in Olta?


Shumë e ëndërroj! Aq më tepër që për koeçidencë, unë e kam ëndërruar gjatë gjithë jetës sime një makinë Jaguar. Më pëlqen shumë stili i kësaj makine, sepse është i viteve ‘800 dhe frymëzimin e ka te makinat e vjetra, presidenciale. Unë jam edhe si natyrë klasike dhe më pëlqejnë mjaft gjërat e vjetra, që nga makinat, muzika, veshjet e atyre kohërave. Përveç kësaj, kam shumë kohë, që kur kam marrë makinë vetë, që kam filluar të marr edhe vesh nga makinat, kam thënë që Jaguar është tamam për shijet e mia!


E sheh veten si kandidaturë për ta pasur atë makinë?


Unë mendoj se jam një nga kandidaturat dhe besoj se do jem në finale, pasi shoh dhe ndjej publikun që më do, shoh komente, më vijnë mesazhe, më ndalojnë njerëz rrugës, dëgjoj shumë mendime, plus që pa u treguar mendjemadhe shoh edhe veten se çfarë niveli jam!


Do të zhgënjeheshit shumë, nëse nuk mbërrinit në finale?


Do të zhgënjehesha në fakt, nuk e mohoj.


Por nëse nuk merrni çmimin?


Do të mërzitesha, por nuk do të çuditesha.


Kjo do të thotë se ju besoni se është vendosur se kush do të jetë fitues?


Nuk di ta them këtë. Unë mund të flas për veten time, për sa u përket parandjenjave që unë kam përballë vetes sime. Do të isha shumë e lumtur nëse unë do ta merrja Jaguar-in.


Olta, si janë marrëdhëniet e tua me producenten e këtij spektakli?


Me Holtën janë shumë korrekte, shumë të pakta, të distancuara.


Po me regjisoren Vera Grabocka?


E njëjta gjë! Vera punon shumë. Ne shikohemi të martë, të mërkurë dhe të enjte, ditën e spektaklit. Në fakt shihemi nga larg, pasi Vera është me mikrofon në dorë, duke na udhëhequr të gjithëve dhe ne i bindemi. Nuk është se kam marrëdhënie të afërta. Unë kam të njëjtat marrëdhënie konstante, që kur ka filluar spektakli dhe aktualisht!


Këto marrëdhënie janë të njëjta me të gjithë personazhet nga ana e producentes dhe regjisores, apo ka edhe miqësira të dukshme aty?


Gjatë ditëve të provave, aty punohet aq shumë, sa unë nuk mund të them se kush është më shumë mikeshë, apo mik me Verën, apo me Holtën!


Olta, po përsa i përket jetës tënde personale, si po shkon marrëdhënia me Olsin?


Si po vazhdon…? (Qesh)! Ne jemi shumë miq (Qesh…)


Po atëherë, ju keni rënë pre e thashethemeve?!


Po mirë e the thashethemet… Si thashetheme, e kam përjetuar… mërzitesh një ditë dhe pastaj harrohet…


“Dancing” mendon se do ketë ndonjë ndikim në punën tënde si aktore?


Ky është një spektakël për famë e për qejf. Puna që bëhet për të rrugës, ka një çmim të madh, siç është Jaguari. Për profesionin tim nuk ka lidhje, por ama më ndihmon mua si Oltë për të zhvilluar reflekset dhe reagimet dhe më ka bërë më elastike dhe sigurisht më ka bërë të kërcej shumë mirë! Në lidhej me karrierën si aktore, asnjë gjë më shumë, sesa do të më njohin më shumë njerëz në rrugë!


Olta, mendon se gjithë personazhet e kësaj gare kanë qenë VIP-a të vërtetë? Yje? Siç edhe titullohet ky show?


Jo, aspak për të qenë e sinqertë! Emra nuk mund të përmend, pasi nuk mund të cenoj askënd, sikurse nuk do të më vinte mirë mua të më komentonte dikush apo të mendonte të njëjtën gjë për mua. Dhe nuk është se ka ndonjë lloj problemi për mua. Unë dua të përmend një gjë të rëndësishme, që unë vij nga teatri, nga elita e artit, jam nga aktoret e reja, më të përfolura, më të famshme dhe që kam bërë më shumë punë. Do të doja ta theksoja këtë, pasi kam dëgjuar disa komente dashakeqëse në sensin që “po kjo Olta, përveç “Pamjes nga ura” çfarë ka bërë tjetër?” Unë kam bërë shumë shfaqe të tjera që nuk është nevoja t’i rendis, pavarësisht se jo të gjitha shfaqjet mund të kenë suksesin e “Pamje nga ura”. Por unë kam luajtur dhe shfaqet, në të cilat kam marrë pjesë që kanë qenë me aktorë të njohur, “Artistë të merituar” madje. Dihet që fama e teatrit është më e vogël sesa fama që të jep BBF-ja!