Këshilli i Përgjithshëm i Omonias akuzon kryetarin e PBDNJ-së, Vangjel Dule, se i ka vjedhur kësaj organizate mandatin e deputetit në qarkun e Vlorës. Një ditë pasi Dule akuzoi Kryeministrin Berisha si iniciator të ngjarjeve të fundit në Omonia, 23 anëtarë të Këshillit (ky forum ka 45 anëtarë) kanë dalë dje me një deklaratë në të cilën janë shprehur se “Zoti Ksera nuk u kandidua nga PBDNJ ,sepse Dule donte të kryesonte vetë listën e Gjirokastrës duke injoruar vendimin e OMONIA-s dhe mbështetjen e tij elektorale, ndërsa Harallamb Panteqi u vendos i dyti në listën e Vlorës. Eshtë shumë e thjeshtë: Dule vodhi në mes të ditës mandatin që i takon OMONIA-s. Ndërkohë shpërfilli vendimin e OMONIA-s për të dalë PBDNJ si forcë e pavarur në zgjedhje, pasi, si produkt i kulisave që është, i kishte dhënë fjalën e nderit Edi Ramës dhe Erjonit”, thuhet në deklaratën e më shumë se gjysmës së anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm në Omonia-s. Në të njëjtën kohë ata i kërkojnë Dules të mos marrë atributet e liderit të organizatës dhe të mos pengojë zhvillimin e mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm.