Nga Loreta Boti



Konferenca e Shtatë e Omonia-s që u mbajt para pak kohësh në Sarandë, të kujtonte një skenë nga ajo komedia shumë e njohur në Shqipëri “Prefekti”, ku ky i fundit pret vartësin e tij, Monin, me fjalët: “O Moni!” dhe fillon ta lavdërojë si burrë të mirë, që nuk e ka shokun, kur Moni ishte njeriu i punëve të pista, që merrte ryshfete për llogari të prefektit, i cili qëndronte në hije dhe e mbronte. Në Konferencën VII të Omonias u panë po ato fytyra që, me ato ç’kanë bërë për 17 vjet, e kanë transformuar Omonian që emri i saj, të mos ketë më kuptimin që ka, por atë “O Moni!” dhe që fjala “omonit” të ketë kuptimin e “Monëve”. Prej 17 vjetësh omonitët kanë bërë punën e “Monit”, duke shitur viza, karta, bursa, duke marrë poste në administratën shqiptare, të cilat i kanë përdorur për të nxjerrë të ardhura abuzive, duke marrë privilegje në biznese. Të gjitha këto gjëra i kanë bërë me ndihmën e disa zyrtarëve të lartë në Athinë, dhe disa prej diplomatëve grekë në Shqipëri, të cilët i kanë toleruar dhe i kanë mbështetur (o)monitët, se ata u kanë dhënë pjesën e tyre të të fitimeve.

Fjala e konsullit të Greqisë në Gjirokastër, Mandellos, në Konferencën VII të Omonias u ngjante lavdërimeve të Prefektit tw komedisw për Monin. Konsulli në panegjerikun e vet u shpreh: “Është një konferencë, besoj, nga më të rëndësishmet në gjithë historinë e Omonias”.

Në fakt për këtë konferencë mund të thuash ç’të duash, por jo atë që tha konsulli. Si duket ai ka qenë dhe vetë i vetëdijshëm për këtë gjë, se pasi tha këto fjalë pyeti vetë: “Pse?”. Dhe kësaj pyetjeje që e bëri vetë, konsulli i dha përgjigjen më absurde që mund të mendohet: “Sepse Omonia në një moment ka hyrë në një fazë të re”. Do të ishte me të vërtetë shumë interesante sikur z. Konsull të na shpjegonte se ç’është kjo fazë e re ku na paska hyrë Omonia, se të parët që duhet të jenë çuditur kur kanë dëgjuar se Omonia paska hyrë në një fazë të re, kanë qenë me siguri omonitët e pranishëm në sallë. Të vetmet faza të reja ku hyn Omonia është se ndërrohet “Prefekti”, ndërsa (O)“monët” mbeten thuajse po ata dhe në të njëjtën fazë.

Konsulli, pasi foli për një fazë të re, të cilën nuk e shpjegoi se ç’është, tha se askush nuk mund të verë në dyshim atë që ai nuk e tha dot se çfarë është: “Nuk do të ekzistojë askush që të verë në dyshim sa ka bërë kjo organizatë për ju të gjithë, për të gjithë ne”. Z. Konsull të jetë i sigurt se nuk kemi për ta vënë në dyshim një gjë që nuk e dimë, dhe që as ai dhe as ata që ishin në sallë nuk e tregojnë dot. Për këtë gjë të rrijë i qetë. Z Konsull tha gjithashtu se paskësh pasur bashkëpunim të mirë. Supozohet që Z Konsull të dijë të na thotë se ku konsistoi ky bashkëpunim i mire. Po ku ta dish si mund të jetë koncepti i të mirës për Z Konsull!!

Kryetari i PBDNJ-së, e mori fjalën para kryetarit të dorëhequr të Omonias Jani Jani, kur i takonte këtij të fliste për periudhën katër vjeçare që drejtoi Omonian. Por, duke folur Jani Jani pas Vangjel Dules, tregoi se në fakt kryetari i vërtetë i organizatës edhe gjatë kësaj kohe ka qenë Vangjel Dule, duke marrë kështu përgjegjësitë edhe për atë që ka bërë, apo nuk ka bërë Omonia gjatë periudhës që drejtohej nga Jani Jani. Vangjel Dule dhe Jani Jani pas tij, folën si “Moni”. Ashtu si në komedinë “Prefekti”, ku prefekti fliste i pari duke mbrojtur Monin, edhe konsulli foli i pari, duke lavdëruar atë që kishte bërë “Omonia”, pra “Moni” Vangjel Dule-Jani Jani, në mënyrë që të priste kritikat ndaj tyre.

Në fjalimin e tij, Vangjel Dule u shpreh: “Më shumë se kurrë politika, vendimet dhe programi i Omonias janë automatikisht dhe programi i PBDNJ”. Vangjel Dule tha gjithashtu se: “Askush nuk mund të mohojë se PBDNJ është pjellë e Omonias dhe e tillë do të mbetet”. Këtë nuk e mohon njeri, dhe mirë që e pohon dhe Dule, që është një nga njerëzit që do të kishte interes ta mohonte, se kështu ai pohon dhe përgjegjësinë e tij për PBDNJ-në për kohën kur ka qenë nënkryetar dhe kryetar i Omonia, përveç për kohën kur ka qenë kryetar i PBDNJ-së, pra praktikisht për pjesën më të madhe të kohës kur kanë ekzistuar Omonia dhe PBDNJ-ja.

Vangjel Dule vijoi: “Omonia bëri dhe gabime dhe që të mos keqkuptohemi kthej gishtin nga vetja ime”.

Vasil Bollano u shpreh: “Jemi të detyruar që të ndryshojmë që t’ u përshtatemi kohërave. Helenizmi ekziston në këto vende këtu e shumë vjet dhe duhet të përpiqemi që të vazhdojë të ekzistojë edhe shumë vjet”. E vërteta është se ne jemi të vonuar dhe ishte duhur që t’ u përshtateshim kohërave shumë vite më parë, Të shohim se çfarë do të bëjë Bollano për t’iu përshtatur kohërave me shume se ç’bëri si nënkryetar.

Konferenca VII e Omonias e meritonte një përcaktim si ai trakti që i hodhën në zyrë Qazim Mulleti tek komedia “Prefekti”: “O Qazim, more Qazim, puna jote aferim”.

“Aferim” është një fjalë turke që do të thotë në këtë rast se për të interesuarin puna shkon në rregull, përderisa ai përfiton.





2 Prill 2008