Dekada të tëra vitesh kanë vërtetuar se opera "Karmen" ka një magnetizëm të pashtershëm dhe universal . Ajo u bë për një kohë të shkurtër e njohur për skenat e teatrove më të rëndësishme të botës dhe është konsideruar si vepër e një gjeniu. Friedrich Nietzsche (1844-1900), filozof e kompozitor gjerman, shkruante:"Operan Karmen të Bizesë e njoh mirë, ajo është muzikë e këndshme, e qartë, e dashur dhe e sinqertë, prandaj unë e mësova praktikisht të tërë me zemër, nga fillimi deri në fund". Edhe njerëzit që nuk pëlqenin operat, 'Karmenin' e admironin pa masë. Po pse ? "E adhuroj Karmenin", i thoshte violinisti i mirënjohur Yehudi Menuhin, gjatë një bisede, muzikologut amerikan David Dubal, " dhe dashuria ime për të, hyn në një kategori të veçantë. Ajo është një dashuri tragjike ." Karmenin nuk mund ta krahasoj me asnjë opera tjetër". Opera "Karmen" e kompozitorit të shquar francez, Zhorzh Bize ( Georges Bizet) nuk shquhet vetëm për faktin se është ndër më të shfaqurat në botë, por edhe sepse me të, Bizeja ia ndryshoi kursin operas franceze , duke e bërë dramë të gjallë me muzikë sensuale, kulmin e të cilës e arriti disa dekada më vonë. Gjithashtu, kjo është opera e parë realiste e Bizesë, që tronditi audiencën konservatore parisiane që në premierën e saj, me karakteret e gjalla dhe pasionin sensual. Libreti i operës u përgatit nga Henri Meilhac dhe Ludovic Halevy , të cilët u bazuan në një novelë të Prosper Merimesë. Novela "Karmen" është mjaft e këndshme dhe tërheqëse. Ajo mbetet në mendjen e çdo lexuesi për një kohë të gjatë. Megjithëse opera "Karmen" përshkruhet si " operë komike" (per shkak të pasazheve të të folurit), ajo në përfundim është një tragjedi. Askush nuk besonte që një opera që mbaronte me vdekje, do të shfaqej në skenën e Operas Komike të Parisit ! Një gjë e tillë kurrë nuk kishte ndodhur. Drejtuesi i "Operas Komike" (Opera-Comique), Camille du Locle, nuk kish besim në punimin e Bizesë dhe e konsideronte atë të rrezikshëm, aspak tradicional. Dialogu i të folurit pëlqehej, bile më tëpër se recitativi, sepse ishte pjesë e Operas-Komike, por drejtuesi du Locle ishte i shqetsuar për përmbajtjen e subjektit dhe përplasjen me audiencën konservatore parisiane, kurse nga shtresa e mesme e francezëve nuk shqetësohej, se ajo gjithmonë ka qenë e moralit të fuqishëm, madje edhe të pastër. Për këto arsye, du Locle mendonte se nga përplasja me konservatorët klientela e zgjedhur do ta bojkotonte "shtëpinë e tij të operas". Por, megjithatë, ai u angazhua për ta shfaqur operën. Provat e fundit të saj shkuan fort mirë dhe nata e parë e shfaqjes u la me 3 Mars 1875, pikërisht në ditën kur kompozitorit Bize iu dha titulli " Legion d'honneur", titull që e kishin edhe kompozitorët Gounod, Massenet, Offenbach dhe Delibes. Me gjithë kritikat e natës së parë, gjë e cila pritej , kishte edhe nga ata, që e mbështetën kompozitorin. Teodore de Banville(1823-1891) poet dhe shkrimtar i njohur frëng e duartrokiti atë " për paraqitjen e dramës me njerëz realë të karaktereve të gjalla në vend të "kukullave" të operas-komike", ndërsa kompozitori i njohur Jules Massenet i dërgoi një notë urimi ku i shkruante: " Sa i lumtur duhet të jësh në këtë moment ! ". Në përgjigje të kritikëve, Bizeja u shpreh :" Mua më përpiu 'Karmeni' dhe shkrova një punim, i cili është plot pastërti dhe gjallëri, plot ngjyrë dhe melodi. Është e vërtetë që në aktin e fundit opera ka diçka të përbashkët , tragjike, me aktin e fundit të "Don Giovannit" të Mozartit sipas Schonbergut, me ndryshimin se në rolin kryesor këtu është një grua dhe jo një burrë. Karmeni dhe Don Giovanni vdesin, por më mirë që ndodh kështu, sepse ndryshe do të ishte një gabim shumë i madh, një skifo apo fallsitet dhe të dy personazhet kurrë nuk do të mbeteshin figura të mëdha e të rëndësishme në artin operistik .

Pas disa muajsh, Ernest Guiraud (1837-1892), një mik i Bizesë dhe kompozitor, duke përgatitur veprën për premierën e Vienës zëvendësoi pasazhet e të folurit origjinal, karakteristikë për operën komike, me recitativë dhe shtoi disa skena baleti me muzikë të Bizesë por nga punimet tjera të tijat , në këtë formë Karmeni u dëgjua në shumë vende të Evropës, me shumë sukses. Vagneri ishte tepër i impresionuar nga "Karmeni" dhe ndërsa Çajkovski vazhdonte të shfaqte adhurimin e vet duke thënë: "Unë jam shumë i bindur që për dhjetë vjet "Karmeni" do të jetë opera më popullore në botë", Johannes Brahms thosh se "edhe në fund të botës do të shkoja për ta përqafuar kompozitorin". Me Karmenin filloi shkolla e "verizmit", që lidhet me pasqyrimin në opera të karaktereve bashkëkohorë, të vërtetë në jetë. Vetë Karmeni ishte më shumë se një karakter: " ishte mendjemprehtë , e fortë, por edhe delikate". Duke ndjekur të gjithë dramën e saj, në të katër aktet, mendojmë se ajo si personazh e meriton respektin dhe ngrohtësinë, që ua indukton shikuesve të operas pa sforco e shtirje. "Jamais Carmen ne cedera. Libre elle est nee et libre elle mourra"(" Karmeni s'ka për t'u nënshtruar kurrë. E lirë ka lindur dhe e lirë do të vdesë"). " Në të vërtetë, Karmeni ishte më shumë e moraltë se sa e imoraltë , sepse ajo ishte gjithmonë e ndershme me veten e saj", thotë Harold C.Schonberg. "Karmeni" është një opera e pasionit, e forcës, vërtetësisë, dhe pa dyshim qëndron më lartë se shumë të tjera. Ajo është një nga 10 operat më popullore në botë. Kjo dramë muzikore e Bizesë është shembulli i parë, që tregon se çfarë mund të bëjë muzika me libretin. Prosper Merimeja, autori i novelës, ishte një romantik , që pëlqente subjektet ekzotikë, historitë pasionante, por edhe përshkrimet e dramave spanjolle të xhelozisë, gjakmarrjet korsikane dhe çdo gjë të shkruar mirë e me kolor të thellë. Bizeja, ishte edhe një pianist i përsosur, interpretimet e të cilit Franz Liszti i lavdëronte vazhdimisht, ai fitoi shumë lehtë 'Çmimin e Romës' me 1857. I ndikuar fort nga Gounod, Bize shkroi në fillim Simfoninë e bukur në Do, dhe shfrytëzoi të gjithë potencialin e tij mjeshtëror e profesional në operën "Karmen" ashtu si dhe në operën "Peshkatarët e perlave". Puna artistike me delikatesë e bërë në opera është e saktë dhe e përsosur edhe psikologjikisht. Vepra është një dramë muzikore e ngrohtë që prej notës së parë të uverturës e deri në fund. Kjo vjen edhe ngaqë "Karmeni" bashkon muzikën pikante "kabare" dhe ritmet e vallëzimit popullor spanjoll me artin më të lartë muzikor, në një tërësi organike të përsosur. Elementët popullorë janë të pranishëm në të gjithë veprën me një përpunim origjinal, plot shije, tepër tërheqës, që e bëjnë atë një perlë nga më të shëndritëshmet. Harmonitë janë të "ashpra", tamam"frënge", por mjeshtëria e Bizesë, që kurrë nuk është vënë në dyshim, krijon një kënaqësi për çdo dëgjues, që ka ndjesi për muzikën. E gjithë kjo magjepsje nuk lejon që të errësohet serioziteti i punimit për karakteret e dramës, të cilët Bizeja i paraqet me një simpati dhe krejt natyrshëm. Në rolin e Karmenit kanë kënduar mjaft mezzosoprano dhe soprano. Ndërsa Don Hoseja, Escamilloja dhe Mikaela këndojnë ariet e bukura, Karmeni është "Diva" cigane e kësaj opere dhe askund më shumë se në aktin e parë, me Habaneran, nuk ndeshemi me ekspresionin brilant të saj . Ndër sopranot, Maria Callas është shquar mbi të tjerat në interpretimin e rolit të Karmenit. Interpretimi i saj edhe sot e kësaj dite është i pakapërcyeshëm, jo vetëm në cilësinë e timbrit por edhe në lojën si aktore e shquar e skenës. Zëri i Callas-it dallohet menjëherë nga të gjithë sopranot e mezzosopranot e tjera. " Muzikologu i njohur Attila Csampai shkruante për Callas-in," Ajo është një krijesë e jashtëzakonshme, me një ton magjik, me një art absolut dhe me një ekspresion absolut, ajo ishte një orkestër e vërtetë, jo me tre zëra por me njëmijë", ndërsa dirigjenti i saj Tullio Serafin thoshte:" Kjo grua mund të këndojë çdo gjë të shkruar për një këngëtare". Ingeborg Bachmann, " Ajo ishte e vetmja krijesë që kish të drejtë të qëndronte në skenën e operas" kurse baritoni legjendar Tito Gobbi, partneri i saj në skenë,"Gjithmonë e kam besuar që ajo është e pavdekshme dhe e tillë është".

Mjafton të dëgjojmë vetëm Habaneran e Karmenit " L'amour est un oiseau rebelle " ( "Dashuria është një zog rebel") të kënduar nga Callas, dhe do të bindemi për cilësinë magjike të zërit të saj të pastër, të ngrohtë, të ëmbël,të plotë si një orkestër. Në "Metropolitan Operan" e Nju Jorkut, Karmen është ndër operat më të frekuentueshme. Një nga shfaqjet e shquara në atë sallë është edhe ajo ku në rolet kryesorë interpretojnë mezzosoprano Elina Garança dhe tenori Roberto Alagna. Të dy rolet janë në një harmoni veprimi dhe të kënduari. Elina Garança është zgjedhje natyrore për Karmenin, në zë dhe në skenë, sensuale, tërheqëse, një Karmen që nuk mund t'i rezistojë violencës, ajo e zhvilloi karakterin prej një 'gypsy' të lirë e të shpenguar, në një grua tragjike, e përpiktë në notat e Bizesë, në ritëm dhe dinamikat, pa ekzagjeruar, ajo këndoi plot magji dhe joshje, me ton kolor të shumëllojshëm ndërsa Roberto Alagna është brenda karakterit të Don Hosesë, duke portretizuar njeriun në rënie dhe në degradim.
Më 3 Qershor 1875, tre muaj mbas premierës, Zhorzh Bizeja ndahet nga jeta në moshë shumë të re. Ishte vetëm 37 vjeç dhe nuk arriti të jetonte sukseset dhe popullaritetin në rritje të "Karmenit" të tij. Atë natë shfaqja u anullua, por rrethanat tragjike sollën një rritje të interesit publik, para se të mbaronte sezoni.. Rrallë herë ndodh që në një sezon, në "Opera-Comique" të Parisit, të jepen jo më pak se 50 spektakle të "Karmenit". Kjo, sepse vepra fitoi një popullaritet të madh në të cilin ndikoi dhe triumfi që pati në Europë, Amerikë e Rusi. 'Karmen' ishte e vetmja pjesë e shkruar, e cila përfaqësoi pjekurinë e plotë të kompozitorit frëng që, po të jetonte, ndoshta do ta revolucionarizonte më tej operan në Francë. E gjithë muzika e bukur e Bizesë, ekspresive, elegante, plot ngjyra dhe temparament, është e asimilueshme dhe mbetet gjatë në memorjen e dëgjuesve .

Nga autorë të ndryshëm janë bërë adaptime instrumentale, kryesisht si fantazi mbi temë të operas 'Carmen'. Pablo de Sarasate, më 1883, adaptoi për violinë dhe orkestër pjesën "Carmen Fantasy". E tillë është dhe "Carmen Fantasie"e vitit1946, adaptuar nga Franz Ëaxman për violinë dhe orkester, e ekzekutuar me mjeshtri dhe virtuozitet nga violinistët Leonid Kogan, Maksim Vengerov dhe Jascha Heifetz. Edhe pse adaptimi ishte shumë i ndërlikuar teknikisht, virtuozët e sipërm e realizuan atë në një ritëm të përsosur dhe ton të pastër e të bukur.
*Kritik muzike

(MILOSAO/BalkanWeb)