Gjykata u komunikon akuzat dy prej të pandehurve që trafikonin drogë nga Shqipëria në Itali

Gjykata e Krimeve të Rënda u ka komunikuar dje akuzat e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike Endrit Dokles dhe Edmond Taullajt. Togat e zeza kanë vlerësuar masën e sigurisë “arrest me burg” për drejtuesit e këtij grupi kriminal. Dokle është shoqëruar në gjykatë nga paraburgimi 313 së bashku me Taullajn. Fillimisht ata kanë dhënë gjeneralitetet para gjyqtares së gatshme, Flora Hajredinaj. Ndërkohë, avokatët deklaruan se klientët e tyre nuk kanë lidhje me trafikun e drogës. E kundërta është pohuar nga prokurori i çështjes, Besnik Muçi, i cili i ka paraqitur gjykatës të gjitha provat që kishte në ngarkim të tyre. Përfaqësuesi i organit të akuzës i ka vënë në dispozicion gjykatës përgjimet telefonike që ishin kryer ndaj dy të pandehurve, në të cilën sqaroheshin edhe pazaret e drogës. Prokurori Muçi i kërkoi gjykatës vlerësimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, e cila u caktua më pas nga gjykata. Ndërkohë, në momentin që gjykata ishte duke vlerësuar masat e sigurisë, mbrojtësit e të pandehurit Endrit Dokle, kërkuan përjashtimin e gjyqtares Flora Hajderinaj, për arsye se ndodhej në trupën gjyqësore që gjykon “Bandën e Durrësit”. Kërkesa u shqyrtua nga gjyqtari Idriz Mulkurti, i cili e rrëzoi atë si të pabazuar në ligj.


Endrit Dokle, një nga krerët e bandës së Durrësit, dyshohet se kryente trafik narkotikësh nga Shqipëria në Itali në rrugë tokësore duke e kaluar përmes vendeve të rajonit. Megjithëse në burg, ai ka drejtuar këtë organizatë kriminale, duke dhënë porositë për të kaluar sasi të konsiderueshme droge. Nga ana tjetër, Isuf Buna, kunati i Endrit Dokles, si dhe vëllai i Kujtim Bunës i pandehur në procesin e bandave të Durrësit, ka qenë një nga korrierët dhe furnizuesit e kësaj bande. Një tjetër bashkëpunëtor dyshohet se ka qenë Edmond Taullaj. Prokuroria dyshon se grupi ka arritur të kalojë drejt Italisë një sasi prej 40 kg heroinë të pastër. Vetëm përgjimet, që kanë filluar pas vitit 2008, kanë arritur të zbardhin mekanizmat e këtij grupi dhe drejtuesin që ndodhej brenda qelive të burgut për një tjetër akuzë.








#