Në një moment kur Kodi Zgjedhor po diskutohet në komisionin e posaçëm parlamentar, opozita braktisi dje punimet e Kuvendit duke kërkuar që Kodi të votohet sa më shpejt. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, deklaroi dje se mazhoranca po bllokon qëllimisht Kodin Zgjedhor. Ajo paralajmëroi se në rast se Kodi nuk miratohet brenda muajit dhjetor, atëherë do të ketë pasoja, duke filluar nga braktisja e Kuvendit në mënyrë permanente. “Në vend që Komisioni i Kodit Zgjedhor të marrë në shqyrtim dekretin e Presidentit dhe të propozojë zgjidhjen juridike që tashmë e ka gjetur, bllokoni në mënyrë të njëanshme komisionin duke vonuar procesin jashtë çdo logjike juridike. Ju kujtoj që me mosmiratimin e këtij kodi brenda muajit dhjetor, zgjedhjet e lira rrezikohen seriozisht. Rrezikohet seriozisht procesi i listave të zgjedhësve, i cili me dispozitat aktuale të Kodit është parashikuar të fillojë 15 ditë pas dekretimit të zgjedhjeve, duke i dhënë 30 ditë kohë hartimit të tyre. Pra, në rastin më të mirë listat paraprake me këtë skenar do të jenë gati në fund të muajit mars, pra vetëm tre muaj para zgjedhjeve”, - deklaroi Leskaj. I menjëhershëm ka qenë reagimi i kreut demokrat në Kuvend, Astrit Patozi, i cili e cilësoi protestën e opozitës si një protestë pa adresë. “Protesta e socialistëve drejtohet në boshllëk, pasi ajo nuk ka asnjë lidhje me mazhorancën. Dihet botërisht se ne e kemi votuar bashkërisht Kodin dhe nuk kemi pasur asnjë divergjencë për ta kaluar. Në njëfarë mënyre kemi pasur qëndrim të përbashkët lidhur me kthimin e tij në Kuvend, duke e konsideruar një gabim që nuk duhet të ndodhte dhe një lëvizje të paqëlluar ose të evitueshme të Presidentit të Republikës. Deri tani është zhvilluar vetëm një mbledhje e komisionit, i cili ka ngarkuar ekspertët për ndryshimet e nevojshme që kërkohen, për ta votuar kodin bashkërisht këtu. Pra kemi një rakordancë të plotë dhe unë nuk e kuptoj se kujt i drejtohet protesta e grupit parlamentar të PS-së, pasi ajo nuk ka asnjë lidhje me mazhorancën”, - u kundërpërgjigj Patozi. Por Valentina Leskaj ka ngritur shqetësime të tjera në lidhje me procesin normal të hartimit të infrastrukturës së zgjedhjeve. Ajo tha se do të ketë vonesa në pajisjen e qytetarëve me letërnjoftime. “Rrezikohet formimi i KQZ-së sipas Kodit të ri. Me skenarin e lartpërmendur, KQZ-ja, në rastin më të mirë, do të ngrihet në fund të shkurtit 2009, pra vetëm 4 muaj para zgjedhjeve. Ndërkohë, ligji e ngarkon KQZ-në me një sërë detyrash të pazëvendësueshme dhe që KQZ-ja aktuale nuk mund t'i kryejë. Rrezikohet procesi i pajisjes me përparësi të zgjedhësve me karta ID. Kjo, pasi VKM-ja mund të dalë vetëm pas hyrjes në fuqi të ligjit, si rrjedhim rreth 3-4 muaj përpara zgjedhjeve duke vështirësuar seriozisht procesin”, - deklaroi Leskaj.











Leskaj:





Duke vlerësuar që zgjedhjet e lira janë në rrezik dhe duke mos u bërë pjesë e lojës politike të Kryeministrit, grupi i PS nuk do të marrë pjesë në seancat e Kuvendit deri sa të vijë në Kuvend për miratim, Dekreti i Presidentit për Kodin Zgjedhor








LSI: PS-ja, opozitë destruktive





Lëvizja Socialiste për Integrim e konsideroi sjellje dekonstruktive parlamentare vendimin e grupit parlamentar socialist për të mos marrë pjesë në asnjë seancë derisa të miratohet dekreti i Presidentit Topi për Kodin Zgjedhor. Kreu i KDK-së së kësaj partie, Edmond Haxhinasto, shprehu keqardhjen për reagimin e Partisë Socialiste dhe të grupit të saj parlamentar për t'u larguar nga Parlamenti për të mos i lënë hapësirë diskutimit parlamentar mbi amendimet për Kodin e Zgjedhjeve pas kthimit të tij për rishqyrtim nga Presidenti i Republikës. “Gjykojmë se bojkoti i Parlamentit nuk është një mënyrë e sjelljes konstruktive parlamentare. Aq më tepër kur bëhet fjalë për përmirësime të Kodit Zgjedhor, i cili, tashmë është evidentuar që ka probleme të mëdha me standardet e pranuara për zgjedhjet, kryesisht duke shkelur parimin e gjithëpërfshirjes dhe barazinë e konkurrentëve në zgjedhje”, - tha Haxhinasto.


Ndër të tjera, ai tha se reflektimi i PS-së për një çështje të tillë është kërkuar jo vetëm nga LSI-ja dhe shumë parti të tjera të përjashtuara nga administrimi i procesit zgjedhor, por edhe nga partnerë të rëndësishëm ndërkombëtarë, nga Partia e Socialistëve Evropianë dhe grupi socialist në Parlamentin Evropian.


“I kërkojmë PS-së të reflektojë, të lërë mënjanë irracionalitetin dhe të marrë përgjegjësitë e saj politike përpara shqiptarëve në mënyrë që të përmirësohen sa më parë defektet që ka Kodi Zgjedhor dhe të garantohet që në 2009-ën, vendi të ketë zgjedhje të lira e të ndershme, duke zbatuar parimet dhe standardet ndërkombëtare për zhvillimin e tyre”, - tha Haxhinasto.