Katër pikat e rëna dakord mes palëve për reformën


Deputetet, Fatmir Xhafa dhe Eduard Halimi gjate nje konsultimi publik per Reformen ne Drejtesi me teme "Sfida e te Sotmes, Garancia e se Ardhmes". /r/n/r/nLawmakers Fatmir Xhafa and Eduard Halimi during a public consultation on judicial reform with the theme "The challenge of today, Guarantee Future".Pas dakordësisë së arritur në lidhje me Byronë e Hetimit, që u vendos që të jetë një strukturë e pavarur edhe nga Ministria e Brendshme, edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, tryeza e së mërkurës për reformën në drejtësi është mbyllur me katër kompromise të rëndësishme politike.


Konkretisht, palët arritën të bien dakord për vendosjen dhe rishikimin e kritereve për anëtarët e Tribunalit Disiplinor, i cili është konceptuar si organi përgjegjës që merr masa ndaj të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve. Duke qenë se shumica e anëtarëve të Tribunalit janë vetë gjyqtarë, u pranua shqetësimi i Partisë Demokratike se ky organ është në konflikt interesi dhe nuk jep llogari askund për vendimmarrjet disiplinore. Ekspertët janë ngarkuar të propozojnë modele për të zgjidhur këtë çështje, për të eliminuar edhe rrezikun e sjelljes si korporatë të Tribunalit. Kompromisi tjetër i mbrëmjes lidhej me një tërheqje të Partisë Demokratike nga mosnjohja e Gjykatës së Lartë Administrative. Palët kanë rënë dakord që kriteret të përcaktohen në Kushtetutë dhe të vendosen rregulla të qarta për të minimizuar përfshirjen nga jashtë sistemit të drejtësisë. Një tjetër dakordësim mes palëve ishte në lidhje me Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Edhe pse ka qenë kundër gjatë gjithë kohës, Partia Demokratike e ka pranuar këtë strukturë, ndërsa mazhoranca ka hequr dorë nga formula e emërimeve, të cilën opozita e cilësonte klienteliste. Sipas palëve, do të jenë ekspertët e OPDAT dhe EURALIUS, të cilët do tu japin zgjidhje çështjeve teknike për këtë institucion. Në dalje të seancës së paradites së mbledhjes me dyer të mbyllura të Komisionit, nënkryetari demokrat, Eduard Halimi, tha se diskutimet mes palëve për të paktën 10 çështje të ngritura nga opozita kanë qenë të mira dhe racionale. Pati një diskutim racional mes anëtarëve të komisionit, por mbledhja u ndërpre për një pushim dy-tre orë dhe do të vazhdojë me diskutimin e çështjeve politike, mes të cilave ka dhe çështje teknike që varen nga zgjidhja politike e tyre. Për këtë, ekspertët e misioneve EURALIUS dhe OPDAT, që ishin të pranishëm gjatë gjithë kohës në mbledhje, për të mbajtur shënime, në ditët në vijim do tu japin zgjidhje çështjeve që ngrihen nga zgjidhjet politike, tha deputeti i PD-së, Eduard Halimi.