Qarkullon më 30 korrik saga familjare e Oriana Fallacit. Një libër që përfshin 5 breza, i botuar nga i nipi që i ndenji pranë deri në momentin e fundit të jetës


Një kthim në kohë, jo në kohërat e luftës në Vietnam apo në vatrat e nxehta të planetit apo kur tregonte lidhjen politiko-sentimentale me Alessandro Panagulis në portretin epik “Një burrë”, apo në letrën drejtuar fëmijës që nuk u lind kurrë e që përloti gjithë botën. Është kohë e largët, 5 breza më parë, që Oriana Fallaci i ka gërmuar nga thellësia e kujtimeve. Dy vjet pas vdekjes së saj (15 shtator 2006), i nipi, Edoardo Perazzi, boton sagën familjare që Oriana e shkroi gjatë viteve kur u tërhoq nga gazetaria, teksa priste vdekjen. “Një kapele plot me qershi” (“Un cappello pieno di ciliege”), titullohet libri, i cili së shpejti i vjen lexuesit italian në duar dhe që shtypi italian i ka bërë jehonë qysh tani.


Ka një periudhë në jetën e Oriana Fallacit e mbetur në hije me vullnetin e saj. Është viti 1991 kur ajo kthehet në Nju Jork në mbyllje të një prej shërbimeve të saj si e dërguar lufte në konfliktin e Gjirit, që shpërtheu prej pushtimit të Kuvajtit nga Sadam Huseini. Pavarësisht moshës, hipi në një avion amerikan për të ndërmarrë një mision rrëqethës. Diçka tipike për Orianën. Përpara 24 vjetësh në “Niente e così sia” tregonte përvojën gjatë një operacioni kundër vietnamezëve. Kur u kthye në Amerikë, Fallaci zbuloi se vuan nga kanceri. Me një mënyrë që vetëm ajo e zotëronte e bëri të ditur këtë fakt në “Washington Post”: “O zot, ky alien që sulmon jetën time, do të doja ta pështyja në fytyrë, ta mbysja, ta shkatërroja. Por ndiej që kam mbaruar”. Jep një intervistë për sëmundjen dhe karrierën e më pas zhduket. Gjatë viteve ’90 të gjithë pyesnin se ku kishte përfunduar Oriana. Asnjë shkrim në gazetë, asnjë deklaratë. E mbyllur në shtëpinë e saj, duke studiuar, shfletuar dokumente, duke bërë kërkime e duke shkruar. Kishte në mendje të tregonte historinë e familjes së saj, të zbulonte e të nxirrte në dritë ato personazhe që kishin lënë gjurmë në jetën e saj. Dhe më në fund vepra monumentale prej 864 faqesh “Një kapele plot me qershi” që “Rizzoli”, botuesi i të gjitha veprave të saj, hedh në treg më 30 korrik, tamam në kohën e pushimeve.


Një vepër në katër pjesë, që secila mund të quhet një libër më vete pasi lidhet me familjen e një prej 4 gjyshërve të shkrimtares. Një udhëtim historik që nis që nga mesi i ‘700-ës, kur në Evropë ishin përhapur idetë iluministe dhe përgatitej terreni për revolucionin që u përmbush në 1889, viti i vdekjes së Anastasias, stërgjyshes së Orianës, personazhi më avernturesk i librit, një grua e pavarur, rebele, guximtare që përfundon në Amerikë. Ngjarjet zhvillohen kryesisht nëToskanë, Kianti, e Panxano, ai vendqëndrimi në rrugën mes Firences dhe Sienës, që dy shekuj e gjysmë më parë ishte një tokë fshatarësh të varfër, por dinjitozë. Historia nis me Thomas Jefferson, emri i të cilit është i lidhur ngushtësisht me Deklaratën e Pavarësisë Amerikane. Ai i propozon një tregtari fiorentin, Filippo Mazzeit, të ndërtonte një fermë përtej oqeanit, të kultivonte vreshta e ullinj e të merrte me vete edhe një grup fshatarësh. Mes tyre ofrohet edhe Carlo Fallaci, një shpirt i lirë, biond me sy bojëqielli ashtu si Oriana. Por ende nuk ishte koha e Amerikës për Fallacët. Ai nuk u nis për atje.


Janë me dhjetëra personazhet kryesorë të sagës që sjellin ngjarje nga më të çuditshmet, të gërshetuara me figura historike si Napoleoni. E ndër ta edhe zërat e dy prindërve të saj, Edoardo e Toska. Fallaci vë në shërbim të karaktereve dhe situatave stilin e saj pasionant, të pasuruar nga një shije ironike e popullore, pasi në fund të fundit flitet për një copëz nga historia e Italisë, e ngritur nga njerëz të varfër. “Tezja ime ishte gjithnjë e mrekulluar nga tregimet e familjes”, - tregon për “Corriere della sera”, Edoardo Perazzi, trashëgimtari i pasurisë së shkrimtares, nipi që e ka shoqëruar deri në vdekje. “Kur kalonim verën në shtëpinë në Kianti, e kishte fletoren e shënimeve gjithnjë gati për të mbledhur kujtime, jo vetëm nga gjyshërit, por edhe nga xhaxha Bruno, gazetar i “Epoca”-s dhe “Corriere”-s dhe me të afërm të tjerë. Ishte i njëjti ankth edhe për t’i deshifruar. Kujtoj ditarin e gjetur një vietnamezi të vrarë në luftë, që pjesërisht u përfshi në një kapitull të “Asgjë dhe kështu qoftë” (“Niente e coi sia”). Dhe vetëm pas dhjetëra vjetësh u ndërgjegjësuam që ky material do të bëhej një libër i ri”. Po përse historia mbyllet në vitin 1889? “Fillimisht saga duhej të mbyllej në vitin 1944, me dëbimin e nazistëve nga Firence. Ekzistojnë shumë shënime dhe një kopje e dorëshkrimit të parë. Por më pas iu duk sikur ato ngjarje të jetuara personalisht dhe të treguara nga pak në të gjithë librat e saj, ndërhynin në shpirtin romanesk të librit. Dhe u zhyt në të kaluarën. Materiali i mbledhur nga kërkimet për të ngritur këtë sagë është i shumtë dhe shpresoj që një ditë të mund të ruhet në një fond që të shfrytëzohet nga publiku”, - shton për “Corriere”-n i nipi. Perazzi punoi bashkë me redaksinë “Rizzoli” për të korrektuar pjesën e katërt dhe për të ndërtuar pemën gjenealogjike të familjes që është vendosur në krye të librit. “Kemi ruajtur edhe gjërat jo perfekte nga vepra e pambaruar për të respektuar autoren. Por kjo pjesë, që përmban disa faqe me shkrimin e Orianës, është një tjetër motiv për interesin e admiruesve të saj”,- thotë Perazzi, teksa kujton ditën kur e pyet se ç’duhet të bënte me “bijtë e saj” (kështu i quante ajo librat). “Sigurisht që duhet t’i publikosh. Kontrollo se mos ka budallallëqe dhe publikoji!”, - i kishte thënë ajo.