Përderisa interesimi i ripërtërirë për kulturën dhe historinë otomane mund të jetë komercializim për disa, ai jep gjithashtu një pikë reference për politikën e jashtme dhe të brendshme të Turqisë së sotme.

"Otomania", interesimi masiv në gjithçka osmane, është bërë një prirje e re në Turqi gjatë dy viteve të fundit. Dukuria nuk është parë vetëm në popullaritetin e serive televizive, të tilla si "Shekulli i Madhërueshëm”, që përshkruan jetën e Sylejman Madhështorit dhe haremin e tij.

Ajo pasqyrohet gjithashtu në shitjet në rritje të librave mbi historinë osmane, bizhuteritë me stilin osman, ekspozitat muzeale, restaurimin e ndërtesave osmane dhe kaligrafisë.

Ndërsa moda ka një farë dimensioni komercial në të, trashëgimia osmane e Turqisë mund të jetë në gjendje të japë një pikë referimi për diplomacinë e saj para-vepruese rajonale, zgjerimin e tregjeve dhe kapërcimin e ndarjeve të brendshme brenda shoqërisë.

Sipas Zejnep Ertug, që mëson historinë e kulturës osmane në Universitetin e Stambollit, ka dy burime kryesore për këtë interes të rritur.

"I pari është kërkimi për një identitet nga një shoqëri e cila është mishëruar tepër në kulturën evropiane, ndërsa i dyti është një borgjezi e vonuar, që po bëhet gjithnjë më e pasur dhe kureshtare rreth mënyrës aristokratike të jetës", thotë ai.

Megjithatë, ekspertët nuk e shohin këtë prirje si një lëvizje larg ideologjisë Kemaliste të shtetit, që kërkonte ta shkëpuste veten nga e kaluara e tij osmane në periudhën e hershme të republikës. Më së shumti, prirja e re është një pasqyrim i ndryshimeve në atë se si populli e sheh kulturën osmane.

Siç shpjegon profesori i Universitetit Kemerburgaz, Emre Alkin, deri së fundi, njerëzit mësoheshin se Perandoria Osmane ishte thjeshtë një organizatë shtetërore.

"Megjithatë, përkundër të gjitha heqjeve të detyruara dhe kujtimeve kundërshtuese, u bë e qartë se osmanizmi është në fakt një kulturë jetese, që mbulon një rang të gjerë fushash nga veshjet te stili i jetës, nga gatimi, te bizhuteritë dhe dekorimi", theksoi Alkin.

Prirja ka shpënë në një rritje të njerëzve, që janë bërë shumë më krenarë për të kaluarën osmane.

Për disa, "otomania" është pak më shumë se komercializim i të kaluarës osmane të Turqisë.

"Në fakt, për një kohë të gjatë njerëzit nuk ndiheshin mirë të dëgjonin se e kaluara e tyre qe e diskredituar. Por tani, ata janë aq të kënaqur të dinë se e kaluara e tyre nuk ishte aq e keqe, përkundrazi, ishte madhështore," tha Ertug.

Megjithatë, epoka osmane nuk mund të merret si një çështje monolite, por më shumë është e përbërë nga periudha të ndryshme, disa nga to të lavdishme, të tjerat të shënuara nga mundimi. Si rezultat, njerëzit nuk mund vetëm të jenë krenarë për disa periudha të posaçme të të kaluarës së tyre osmane.

"Në periudhë afatgjate, kjo mund të çojë në zhgënjim, kur dikush ju bën ju një pyetje të tillë: Pra, pse përfundoi një periudhë e tillë e lavdishme?", tha historiani Ahmet Kujas i Universitetit të Galatasarait.

Ndërsa disa ekspertë si Kujas e konsiderojnë këtë prirje si pjekje ë interesit gjatë tri apo katër dekadave, të tjerët e shohin një dimension sipërfaqësor në të.

"Ndonëse interesi në fushat e lidhura me Perandorinë Osmane nuk është ndërprerë kurrë, interesi i tanishëm është më tepër sipërfaqësor, kur e krahason atë me romanet në të kaluarën që diskutonin osmanizmin si një trashëgimi politike," tha Selim Kuru, profesor i i studimeve turke e osmane në Universitetin e Washingtonit.

Për Kuru, interesi i manifestuar në seritë e TV, modelet e mallrave në vendet e shitjeve dhe botimet me bazë vizuale, janë një mënyrë e rigjallërimit të tregut vendas e ndërkombëtar të Turqisë.

"Ky interesim i fundit në të gjithë atë që është osmane, mund të shpjegohet më së shumti nga fakti se ky subjekt ka fituar vlerë të madhe në ekonominë e tregut," shpjegoi ai.

Sipas Kuru, ky interes bazuar në fitimin vjen në dëm të punëve historike gjatë shekulli të kaluar, nga akademikë të shquar, studiues e artistë.

Megjithatë, trashëgimia osmane mund t'i japë Turqisë një pikë referimi në kryerjen e politikës së saj të jashtme dhe kapërcimin e problemeve të identitetit.

Deputetja nga radhët e AKP-së nga qyteti Kajseri, Pelin Gundesh Bakir, tha se Perandoria Osmane ishte një përzierje e identiteteve dhe feve të ndryshme në Ballkan dhe në Lindjen e Mesme.

"Perandoria Osmane ishte një qendër tolerance, paqeje dhe stabiliteti politik gjatë pesë shekujve të ekzistencës së saj në Lindjen e Mesme dhe në Ballkan. Lidhur me këtë, është logjike se modeli osman jap një referencë për politikat e Turqisë në Lindjen e Mesme dhe Ballkan," tha ajo.

"Historia na tregon ne qartë se Turqia ka potencial për të luajtur një rol të madh në dekadën që vjen për sigurimin e paqes, stabiliteti dhe prosperitetit ekonomik, jo vetëm në Ballkan, por gjithashtu edhe në Lindjen e Mesme", shtoi Bakir.

Megjithatë, interesi i gjallëruar në trashëgiminë osmane nuk është një shtytje ataviste imperialiste, shpesh e quajtur si neo-osmanizëm. Për më tepër, ajo vjen si një pasojë logjike e ndryshimeve gjeopolitike dhe nevojave ekonomike të periudhës pas Luftës së Ftohtë.

Sipas Kujas, ajo që gabimisht është quajtur si neo-osmanizëm është në fakt kërkim për tregje të reja në afërsinë e menjëhershme gjeografike të Turqisë. "Kështu që, nuk është një çështje e zgjerimit kulturor, por më së shumti një dëshirë për të zgjeruar Lebensraum-in (hapësira jetike) e vet ekonomik", theksoi Kuja.

Mustafa Akjol, një komentator politik turk, gjithashtu nuk e sheh atë si një orvatje neo-imperialiste. "Përkundrazi, nëse kuptohet në një mënyrë të arsyeshme, ajo mund të japë një vizion premtues për politikë-bërësit", shprehet Akjol.

Për Akjol, kur kujtohen lidhjet historike me Ballkanin dhe Lindjen e Mesme, "ka kurdoherë një rrezik të mbi-idealizimit, në qoftë se nuk aplikohet në një mënyrë të arsyeshme."