Partia Demokratike, përmes zëdhënëses së saj, Silvi Bardhi, deklaroi se duke mos votuar heqjen e imunitetit, Edi Rama shkelmoi ëndrrën e shqiptarëve.


Me këtë akt bllokues, Rama shkelmoi para të gjithë shqiptarëve dhe mbarë botës ëndrrën europiane të të rinjëve shqiptarë dhe të qytetarëve të tjerë të këtij vendi dhe mbrojti me imunitet pasuritë e paligjshme të kontrabandës, fshehjes së taksave, trafiqeve kriminale, grabitjes së pronave të kupolës së miliarderëve në krye të Partisë Socialiste. Kurse tani pas vendimit të mazhorancës për të thirrur në përputhje me Kushtetutën e vendit referendumin popullor në të cilin qytetarët të vendosin me votën e tyre të lirë për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të zgjedhur prej tyre dhe zyrtarëve të tjerë z.Rama deklaron se Ai do të kushtëzojë referendumin për heqjen e imunitetit me referendum për çështje të tjera, tha zëdhënësja e PD.


Por bie në sy se Berisha është i vendosur të çojë përpara referendumin, duke përdorur një nen tjetër të Kushtetutës dhe jo nenin 177. Ky i fundit kërkon që amendimet kushtetuese të miratohen në Kuvend dhe më pas të shkojnë në referendum. Por Berisha përdor tani nenin 155.


Lidhur me këtë qëndrime absurde të z.Rama, Partia Demokratike deklaron sa vijon: Pavarësisht nga fobia e z.Rama nga zëri i qytetarëve shqiptarë, referendumi për heqjen e imunitetit do të thirret  dhe zëri i qytetarëve do të dëgjohet dhe respektohet plotësisht. Neni 155 i Kushtetutës së vendit përcakton se:


Të drejtën e thirrjes së referendumit në Shqipëri e kanë 50 mijë qytetarë, 1/5 e deputetëve të Parlamentit, Këshilli i Ministrave. Partia Demokratike në ditët që vijnë në konsultim me Këshillin Konsultativ të Parlamentit dhe me aleatët e saj do të vendosë se cilën nga rrugët kushtetuese do të përdorë për thirrjen e referendumit popullor, për heqjen e imunitetit, tha zëdhënësja e PD.


Ajo iu përgjigje dhe thirrjes së PS për të bërë referendum për katër çështje.


Partia Demokratike thekson se kërcënimi i Partisë Socialiste për thirrje të referendumeve të tjera si kundërpërgjigje e thirrjes nga Partia Demokratike e referendumit për heqjen e imunitetit, është mjeran dhe qesharak. Partia Demokratike fton Partinë Socialiste të ushtrojë që nesër të drejtën kushtetuese të referendumit për çdo çështje që e gjykon të rëndësishme. Por, ajo nuk e bën këtë sepse ka frikë nga zëri i qytetarëve të thjesht. Z. Rama dëgjon vetëm zërin e miliarderëve të kupolës së Partisë Socialiste, mirëpo për imunitetin pas 10 vitesh bllokimi, politikanët duhet të heshtin, tani radha është e qytetarëve. Shqipëria pret verdiktin e tyre! tha Bardhi.