Partia Demokratike ka përshëndetur dje raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, duke e cilësuar këtë raport që e përfshin Shqipërinë në vendet tranzit të trafikut të drogës, si një raport realist. Në deklaratën për shtyp të PD-së shkruhet se në raportin e DASH-it vlerësohet lufta e bërë nga qeveria shqiptare dhe Policia e Shtetit kundër trafikut ndërkombëtar të narkotrafikëve. “Në raportin e tij DASH vlerëson masat dhe politikat agresive të marra nga qeveria shqiptare, si dhe ruajtjen e brigjeve nga Policia e Shtetit duke ndërprerë ato që raporti i quan rrugët historike të kontrabandimit të drogave përmes detit Adriatik dhe duke i spostuar ato në territorin e Malit të Zi, Serbisë, Bosnjës etj. Raporti bën qartësisht ndarjen që nga viti 2005, datë nga e cila Shqipëria qeveriset nga maxhoranca aktuale duke listuar masat e marra që nga moratoriumi për skafet, instalimi i radarëve të survejimit të detit, shtimi i kapaciteteve lundruese të Rojës Bregdetare, çka, siç shprehet raporti, ka sjellë si rezultat që rruga e preferuar prej trafikantëve të jetë tashmë ajo përmes Serbisë dhe Bosnjës me destinacion Italinë.

Raporti i krahason rezultatet e sotme të qeverisë shqiptare me ato të një viti më parë sepse me rezultatet e arritura në luftën kundër krimit të organizuar e trafiqeve, kjo qeveri mund të krahasohet vetëm me vetveten dhe me asnjë qeveri paraardhëse”, - shkruhet në deklaratën e PD-së. Përsa i përket përmendjes në raport të imuniteteve si pengesë e organeve të Drejtësisë për të finalizuar luftën kundër çdo lloj fenomeni negativ, PD-ja i ka bërë thirrje opozitës shqiptare të bashkojë votën me maxhorancën aktuale për të hequr imunitetin, duke dëshmuar kështu vullnetin e hekurt të opozitës për të kontribuar kundër implikimit të politikës me krimin e organizuar.





4 Mars 2010