Tiranë -Partia Demokracia Sociale ka reaguar sot për krizën ekonomike që po kalon vendi, duke akuzuar qeverinë për pa përgjegjshmëri në këtë drejtim. Sekretari Politik Artur Duckallari, theksoi se ministrat e Berishës gënjejnë shqiptarët me mesazhe të paqartë e mashtrues, duke tentuar t’u hedhin hi syve për të mos bërë të ditur krizën që ka pllakosur vendi. “PDS vëren se treguesit ekonomiko-financiarë të Shqipërisë janë shqetësues dhe nuk duhet humbur asnjë ditë për të menduar një zgjidhje efikase. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 9.9 % gjatë nëntëmujorit të parë të vitit, ndërsa kjo rritje është ngadalësuar ndjeshëm në tremujorin e fundit”-theksoi Duckallari.



Ai nënvizoi se Fondi Monetar Ndërkombëtar ka dhënë paralajmërimin e tij të qartë, që qeveria “Berisha” nuk ka dashur ta dëgjojë, duke mos e pranuar krizën.



“PDS kërkon nga qeveria të nisë menjëherë zbatimin e masave anti-krizë, duke kërkuar edhe konsensusin e opozitës për zgjidhje të rëndësishme për vendin. Ne duhet të shmangim, që duke u ndodhur në një vit elektoral, të mbyllim sytë dhe të zgjohemi vetëm atëherë kur pasojat e krizës ekonomike do të jenë të rënda. Dobësimi i lekut gjatë ditëve të fundit mund të sjellë të tjera pasoja negative për importet, nga varet shumë ekonomia jonë. Shqiptarët po humbasin vendet e punës dhe po vuajnë varfërinë dhe çmimet e larta, ndaj kërkojnë një qeveri të përgjegjshme”-përfundoi deklaratën Duckallari.