BRUKSEL- Parlamenti Evropian ratifikoi sot marrëveshjen e asocimit mes BE-së dhe ish-republikës sovjetike të Moldavisë, që përfshin një marrëveshje të shkëmbimit të lirë, të njëjtë si ai i nënshkruar me Ukrainën.

Numri i eurodeputetëve që votuan pro marrëveshjes ishte 535, ndërsa 94 ishin kundër dhe 44 abstenuan.

Në fund të qershorit, BE-ja nënshkroi një marrëveshje asocimi me Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë, tre ish-republika sovjetike që duan të afrohen me Evropën pavarësisht presioneve të Rusisë.

Moldavia e ratifikoi më 2 korrik. Për të hyrë në fuqi, kjo duhet të miratohet nga parlamentet kombëtare të shteteve anëtare. Disa pjesë të marrëveshjes, si ajo e shkëmbimit të lirë, hynë në fuqi në mënyrë provizore që prej 1 shtatorit.

Në një rezolutë të votuar nga 529 eurodeputetë, ku 96 ishin kundër, ata theksuan se kjo marrëveshje nuk përbënte një fund në vetvete në marrëdhëniet mes BE-së dhe Moldavisë.

“Ratifikimi tregon se vendi ka arritur procesin e tij të reformave politike dhe ekonomike, duke ngritur prespektivat evropiane të Moldavisë dhe duke treguar vendosmërinë e saj për t’iu bashkuar BE-së në të ardhmen”, theksoi deputeti liberal lituanez, Petras Austrevicius.

“Marrëveshja mbulon të gjithë territorin, ndërkombëtarisht të njohur, të Republikës së Moldavisë dhe efektet e saj do të aplikohen edhe në Transdniestri, që është pjesë përbërëse e Moldavisë”, theksuan deputetët.

Transdniestria është një rajon në lindje të Moldavisë që shpalli pavarësinë e saj në vitin 1990, e mbështetur nga Rusia. Sipas deputetëve, BE-ja duhet të luajë një rol më të rëndësishëm për të arritur një rregullim efikas të çështjes së Transdniestrisë.

Ata i kërkojnë Rusisë të respektojë plotësisht integritetin territorial të Moldavisë dhe zgjedhjen e saj që të drejtohet nga Evropa. Nga ana tjetër ata shprehin keqardhje që Rusia vazhdon të përdorë ndalimin e importimit të produkteve që vijnë nga Moldavia si një mjet për të destabilizuar rajonin.

Parlamenti Evropian do të dërgojë një delegacion në Moldavi për të vëzhguar zhvillimin e zgjedhjeve legjisltaive të 30 nëntorit.
(ma.ar/BalkanWeb)