Partia Socialiste shprehu dje shqetësimin e saj për pabarazinë gjinore në vend. Deputetja socialiste, Eglantina Gjermeni, vuri në dukje raportin global të hendekut gjinor, përgatitur nga Forumi Ekonomik Botëror. Nga 134 vende të paraqitura në këtë raport, Shqipëria është listuar e 92-ta, nga vendi 87 që ishte në vitin 2008. "Kriza në të cilën është zhytur Shqipëria po thellohet dita-ditës. Fatkeqësisht, këtë krizë e ndiejnë më shumë se kush gratë dhe vajzat shqiptare. Varfëria, papunësia, sistemi i çalë shëndetësor dhe arsimor, dhuna në familje, diskriminimi social, janë vetëm disa nga plagët me të cilat përballen çdo ditë vajzat, nënat, motrat shqiptare", tha Gjermeni ndërsa përmendi edhe progresi-raportin e Bashkimit Europian për Shqipërinë 2009, ku thuhet se barazia gjinore është e garantuar me ligj, por zbatimi i këtij kuadri ligjor dhe politikave është i pamjaftueshëm.