Gjiknuri: Nuk ka asnjë dileme, KQZ të bëjë vetëm kalkulimin


gjiknuriNga Muhamed Veliu TCH

Tashmë rezultati i zgjedhjeve është i pastër dhe partitë duket se nuk do te shpenzojnë kohë me ankimime për kuti të veçanta. Por një KQZ e paplotesuar nuk mund ta bëjë certifikimin pasi duhen 5 anëtarë dhe në këto kushte Damian Gjiknuri në një intervistë për Top-Channel thotë se do ti drejtohen kolegjit zgjedhor ashtu siç u veprua edhe në zgjedhjet vendore të vitit 2011.


A është në rrezik certifikimi rezultatit të zgjedhjeve?

Nuk është në rrezik për shkak të thellësisë së fitores së këtij koalicioni. Certifikimi është bërë nga populli,mandatet tashmë dihen. KQZ-s i mbetet të bëjë vetëm aritmetikën e thjeshtë.

Kush do ta certifikojë rezultatin në një kohë kur kodi zgjedhor kërkon që kjo procedurë të kryhet me votat e 5 anëtarëve të KQZ ndërkohë që organi më I lartë zgjedhor në vend ka vetëm 4 anëtarë?

Pesë anëtarët e KQZ-s duhen për shpërndarjen e mandateve. Kjo do të thotë shpërndarje të mandateve në bazë të çdo qarku. Tabulimin do ta bëjë KQZ-ja. Meqenëse nuk kanë 5 anëtarë do të ndjekin praktikën që është ndjekur në 2011 kur mandatet e këshillit bashkiak i shpërndau gjykata, në këtë rast kolegji zgjedhor.

A parashikoni kthimin e njërit prej antarëve të dorëhequr në KQZ në mënyrë për ta përshpejtuar këtë proces?

Nëse kjo do të ndodhte do ta paraqesë të gjithë këtë që ka ndodhur me KQZ-n, atë akt të paligjshëm që bëri kuvendi dhe reagimin e anëtarëve si thjesht një taktikë politike. PS ka një qëndrim parimor i cili është shumë i qartë. KQZ-ja u sulmua ilegalisht, u uzurpua në mënyrë të paligjshme dhe i takon kuvendit të ri ti japë përgjigjen për zgjidhjen ligjore të këtij problemi. Ne nuk do të bëhemi pjesë e taktikave politike dhe nuk mund të bëjmë thjesht një lëvizje për shkak se rezultati paska dalë thellësisht në favor të opozitës.

Për ato KZAZ ku janë vërejtur problem a do të ndërmerrni ankimime?

Ne jemi duke grumbulluar informacionin dhe dokumentacionin nga të gjitha zonat në mënyrë që të gjykojmë se si është situata me rregullsinë e procesit zgjedhor dhe çfarë lëvizjesh të mëtejshme nga pikëpamja e procedurave ligjore do të bëjmë.