Partia Socialiste reagon pas kthimit në kuvend nga Presidenti i Republikës të draftit të Kodit të ri Zgjedhor. Në një deklaratë për shtyp thuhet se pasi u njoh me dekretin e Presidentit të Republikës për kthimin në Kuvend për rishqyrtim të projektligjit për Kodin Zgjedhor, Partia Socialiste çmon vlerësimet e bëra nga Presidenti në letrën sqaruese të dekretit për punën e bërë për Kodin e ri Zgjedhor dhe për standardet e mishëruara në të për sa i përket administrimit të zgjedhjeve në vend. Partia Socialiste thuhet më tej në njoftimin për shtyp "e mirëkupton kërkesën e Presidentit të Republikës për saktësimin e nuancës juridike që lidhet me afatin ligjor për nxjerrjen e dekretit për datën e zgjedhjeve, pavarësisht faktit se në këndvështrimin tonë ky afat është një parim i përgjithshëm që vendoset në Kodin Zgjedhor dhe Presidenti nuk ka aktualisht asnjë pengesë për dekretimin e zgjedhjeve sipas Kushtetutës".